Paloka: Çunat e Bllokut duan të vijnë në pushtet me dhunë
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, lëshoi akuza të ashpra ndaj drejtuesve të Partisë Socialiste. Duke i quajtur “Çunat e Bllokut”, Paloka tha se drejtuesit e PS-së kërkojnë të vijnë në pushtet me dhunë, pasi sipas tij, ata janë të etur për pushtet. “Ditët e fundit çunat e Bllokut po iu tregojnë qartë shqiptarëve se kanë vetëm një qëllim e një dëshirë, etjen e tyre për pushtet. Çuni i Kristaqit, çuni i Sule Bushatit, çuni i Xhelilit dhe ai i Hamitit së bashku me ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, ministrin e fundit që qëndronte në krah të Ramiz Alisë në ’90-ën dhe eksponentë të mafies së kuqe, duan të vijnë në pushtet me dhunë”, - deklaroi Paloka në një dalje publike për mediat. Paloka tha më tej se mazhoranca premton se nuk do të lejojë që në Shqipëri bijtë e diktaturës të cenojnë demokracinë në vend. Deputeti i PD-së shtoi se fatin e baballarëve do e pësojnë edhe bijtë e tyre. “Unë jam këtu për t’iu bërë të qartë se ne që hodhëm në koshin e plehrave të historisë baballarët e tyre, jemi të gatshëm dhe ju premtojmë se do ju rezervojmë të njëjtin fat, ne mos më keq, këlyshëve të Bllokut nëse iu shkon ndërmend të përmbysin demokracinë e të kërkojnë të vijnë në pushtet me dhunë. Megjithëse unë mendoj se këlyshët e rrahur vetëm lehin e kujisin”, - përfundoi deklaratën e tij Edi Paloka, deputeti i PD-së.