E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panair libri në Frankfurt, 60 vjet nga themelimi

Autori i Lajmit: red.
Më shumë se 7 mijë shtëpi botuese nga 101 vendet do të jenë të pranishme këtë vit

Panairi i librit në Frankfurt këtë vjeshtë feston 60-vjetorin e themelimit. Ky panair është më i madhi dhe më i rëndësishmi në botë. Më shumë se 7 mijë shtëpi botuese nga 101 vendet do të jenë të pranishme këtë vit. Gjithsej 400 mijë libra të rinj do të prezantohen në këtë aktivitet kulturor botëror. Krahasimi është i dukshëm, në vitin 1949 ishin 10 mijë tituj.

Cilat janë disa nga arsyet e suksesit të panairit në Frankfurt?

Drejtori i panairit, Jyrgen Boos tregon: "Prej vitit 1949, ky panair nuk ka qenë panair gjerman, por panair ndërkombëtar. Frankfurti u zgjodh rastësisht. Por ky sektor e kërkoi këtë qytet dhe panairi ka krijuar traditë për temat neutrale. Dixhitalizimi i botës, politizimi, shkëmbimi mes shtëpive të vogla botuese dhe atyre të mëdha, çfarë ndodh më tregtinë e librit? Të gjitha këto tema janë diskutuar këtu".

Çelës suksesi ka qenë edhe ftesa çdo vit e një mysafiri nderi

I ftuari i parë në këtë panair ka qenë në vitin 1970, Amerika e Jugut, ndërsa këtë vit do të jetë Turqia. Ajo vjen me moton "Tërheqëse dhe e larmishme", duke prezantuar shumëllojshmërinë dhe hapjen e kulturës së saj. Fituesi i çmimit Nobel në letërsi, Orhan Pamuk, dhe presidenti turk, Abdullah Gyl si dhe ministri i Jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, do të hapin panairin e 60-të.

Mysafir nderi vitin e ardhshëm do të jetë Kina

Kina, shteti që ka një censurë të fortë dhe ku të drejtat e njeriut respektohen më pak. Boos reagon ndaj kritikave: "Në Kinë ne kemi pasur pas revolucionit kulturor ndërprerje të kulturës tradicionale. Askush nuk shkruajti më dhe trashëgimia letrare u zhduk. Unë besoj se për këtë arsye ne duhet të shkojmë atje, sepse atje po zhvillohet diçka e re. Nga shtëpia e vetme botuese shtetërore janë krijuar shtëpitë e para të pavarura dhe ne duhet t i mbështesim. Tani ekziston mendimi pluralist dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me një mendim, me librin. Atje nuk ka më vetëm libra me citate të Maos, por edhe libra të tjerë. Kina, dhe po ashtu India, janë aktualisht vendet që kanë tregun më të madh të rritjes ekonomike në botë. Në të dyja këto vende panairi i librit është i përfaqësuar me zyrat e veta. Në Kinë panairi i Frankfurtit është shumë i angazhuar duke mbështetur shtëpitë botuese private që deri tani, pjesën më të madhe e ka pasur shteti".

Kina dhe India, tregje interesante për librin

"Në Indi situata është e ndryshme. Ai është një vend me rreth 20 gjuhë zyrtare, për të cilat ne nuk dimë asgjë. Ne njohim autorë indianë që janë përkthyer në anglisht dhe nga anglishtja në gjermanisht. Por në urdu, hindu dhe në shumë gjuhë lokale, që nuk janë pak, por që fliten nga qindra miliona njerëz, ne nuk i njohim. Dhe kjo është e mjaftueshme që ne të shkojmë atje për të mbështetur botuesit indianë, që janë rreth 3 mijë dhe janë aktivë në gjithë botën, nga Afrika e Jugut deri në Moskë".

Trendi më i fundit në Frankfurt është faqja e internetit e-book

361 ekspozues ofrojnë botime dixhitale. Rreth 2 për qind e librave të ekspozuar nuk janë më libra që mund t i mbash në dorë, përkundrazi janë vetëm si piksel, në e-book. Jyrgen Boos nuk beson që ky prodhim i ri të kërcënojë librin tradicional të vjetër. Së fundi, edhe videot apo librat audio dhe „book-on-demand" nuk i zëvendësuan librat. Mund të thuash që u formua një treg i ri. Një tjetër pikë e rëndësishme në panair është trajnimi: Trajnimi vendos për fituesit dhe humbësit. Rreth lidhjes nga shanset e trajnimit dhe integrimit do të diskutohet këtë vit me mysafirët turq, në mesin e të cilëve është dhe ministri i Kulturës, Ertugrul Gynai. Për këtë temë do të marrin pjesë edhe futbollistët gjermanë me trajnerin e kombëtares, Joakim Lëv.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›