E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosen një gardist dhe një holandez

Autori i Lajmit: red.
Një punonjës i Gardës së Republikës dhe një shtetas holandez kanë mbetur të plagosur dje në aksidente rrugore. Në aksidentin e parë një makinë përplasi dhe plagosi një gardist. Në aksidentin e dytë u plagos një shtetas holandez pas përplasjes së dy makinave
Burime nga policia bënë të ditur se dy aksidente me pasojë plagosjen e dy këmbësorëve janë shënuar sot paradite në kryeqytet. Sipas të njëjtave burime, aksidenti i parë ka ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë, ku si pasojë e përplasjes së tre automjeteve është plagosur oficeri i gardës, 44-vjeçari Myrteza Kadriu. Policia bën të ditur se gardisti është plagosur nga një automjet më targa Vlore që, pasi e ka përplasur, është larguar menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë një tjetër aksident ka ndodhur pranë shkollës “Petro Nini Luarasi“. Burime nga unifortmat blu të kryeqytetit bënë të ditur se edhe në këtë rast viktima ka qenë një këmbësor, por shtetas i huaj. 70-vjeçari Alfred Kundelam me nënshtetësi holandeze, jurist pranë Ministrisë së Ekonomisë, u aksidentua pas përplasjes së dy mjeteve. Burimet e policisë shprehen se dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në të dyja rastet policia po heton shkaqet e vërteta të aksidenteve. Sipas policisë, në zonat e banuara, drejtuesit e automjeteve nuk e respektojnë këmbësorin, gjë që bëhet shpesh shkak për aksidente. Por, jo të rralla kanë qenë dhe rastet kur këmbësorët nuk kanë respektuar vijat e bardha dhe si pasojë kanë mbetur viktima të automjeteve.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›