Prokuroria e Përgjithshme, asnjë masë ndaj 2 prokurorëve që shkelën ligjin
Reagon zyrtarisht Ministria e Drejtësisë lidhur me akuzat më të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, se ky institucion ishte vënë në dijeni për marrje masash ligjore lidhur me vonesat në ekzekutimet e vendimeve penale. Nuk ka pasur një deklaratë zyrtare, por vetëm është dërguar një kallëzim penal, i cili daton më 2 korrik të këtij viti dhe që mban firmën e kreut të institucionit të Drejtësisë, ministrit Alibeaj. Bëhet fjalë për një kallëzim penal kundrejt dy prokurorëve, Arta Marku e Brahim Dragjoshi, të cilët akuzohen se kanë mbajtur në burg padrejtësisht shtetasin Arben Tom Ndoja, për 2 muaj e 13 ditë burg. Pas dy ditësh bëhen tre muaj që nga momenti që z. Alibeaj ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ende nuk ka pasur një reagim nga ky institucion, sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, lidhur me ndonjë masë të marrë për dy prokurorët. Bërja publike e një fakti të tillë, tashmë pas 3 muajsh, vjen në formën e një reagimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me pretendimet publike të Prokurorisë së Përgjithshme se nuk janë fajtorë prokurorët për zvarritjen e ekzekutimeve penale, por gjykatat. Me anë të këtij kallëzimi të depozituar tre muaj më parë, ministria i ka kujtuar Prokurorisë se nga ana e tyre është reaguar, madje duke kërkuar edhe penalizim të dy prokurorëve që mbajtën padrejtësisht në burg shtetasin Ndoja, por ende nuk ka pasur një veprim konkret apo marrje e ndonjë mase konkrete ndaj prokurorëve, për të cilët u kërkua hetim. Sipas institucionit të drejtësisë, i dënuari Arben Ndoja ka qëndruar padrejtësisht në burgim për 2 muaj e 13 ditë; ndërkohë që prokurori i Gjykatës së Apelit Shkodër, Brahim Dragjoshi dhe prokurorja e Gjykatës së Rrethit Shkodër, Arta Marku, e ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve penale nuk kanë zbatuar kreun III të urdhrit nr. 72, datë 01/03/2004, “Për ekzekutimin e vendimeve penale dhe mbikëqyrjen e vuajtjes së dënimit me burgim” të lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu, sipas kallëzimit penal të Ministrisë së Drejtësisë, këta dy prokurorë nuk kanë zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitat e ligjit nr. 8331, datë 21/04/1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Duke analizuar faktet e paraqitura në këtë raport kontrolli, ministri i Drejtësisë arrin në konkluzionin se janë zbuluar fakte që përbëjnë veprat penale të heqjes së padrejtë të lirisë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe të kryerjes së veprimeve arbitrare të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Meqë të tria këto vepra penale, në interpretim të nenit të Kodit të Procedurës Penale ndiqen kryesisht, ministri i Drejtësisë paraqet këtë kallëzim penal tek prokurori bazuar në nenin 281 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon shprehimisht: “Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”. Ky kallëzim penal strukturohet sipas kritereve formalë të përcaktuar në nenin 281 pika 4 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilin parashikohet tekstualisht: “Kallëzimi përmban elementët thelbësorë të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit”.
Nenet që janë shkelur:
Neni 110
Heqja e paligjshme e lirisë
Heqja e paligjshme e lirisë e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kur kjo vepër shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, ose kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.
Neni 250
Kryerja e veprimeve arbitrare
Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.