E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pandeli Majko: PS, aleancë parazgjedhore me FRD e AK

TIRANE - Deputeti socialist, anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko deklaroi dje se PS mund të bëjë aleancë parazgjedhore me partinë e Bamir Topit dhe me Aleancën Kuq e Zi. Gjatë emisionit “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla, Majko tha se mjafton që këto dy parti janë në opozitë me këtë qeveri dhe duhen konsideruar si aleate. Në lidhje me procesin e Presidentit, Majko tha se Fatos Nano mund të votohej kundër edhe nga brenda grupit parlamentar të PS-së, për shkak të atyre qëndrimeve që ka mbajtur që pas 2005-ës. Majko tha se e kishte mërzitur në fillim takimi mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, në Gjirin e Lalzit.
Zgjedhja e Nishanit, rezultat i veprimit dhe mosveprimit të tre të mëdhenjve. Si e komentoni këtë konstatim të ambasadorit amerikan?
Unë nuk e di kontekstin, por mendoj se ambasadori ka bërë një tipizim të një procesi që nuk prodhoi një kandidaturë solide. Sepse në thelb nuk pati një proces të mirëfilltë për një kompromis bindës, në këtë histori, por ajo që është më shqetësuese është se gjithë kjo eksperiencë politike e z.Berisha që e dinte shumë mirë që për të marrë një notë të fortë kaluese në procesin e integrimit i duhej një president që të kishte “OK”-in e opozitës. Ai që në fillim eci me një plan të vetin, me një plan që e përjashtoi opozitën dhe këtë duhet ta themi, ashtu siç është, mendoj që taktika që Europa duhet ta pranojë Shqipërinë kështu siç është, me këtë kostum që ka, e cila rrotullohet rreth një individi, dhe sot aktualisht ne që flasim presidentin, qeverinë, parlamentin, pothuajse gjithë institucionet i kemi me vulën “Made in PD”.
Kryetari juaj ka hedhur emra, është folur se është hedhur emri juaj.
Po është e vërtetë. Më ka thënë, më ka marrë në telefon, Pandi në një moment kam përmendur emrin tënd. Por kjo ishte jashtë çdo lloj konteksti, në biseda paraprake.
Mendoni që ndoshta Fatos Nano mund të kishte hapur së paku garën në raund të katërt?
Fatos Nano në një mënyrë apo një tjetër i dhuroi një fushatë skenës politike. Pse jo edhe PD. Por, nuk besoj që do të kishte të garantuar një fitore në sensin e futjes në garë, sipas meje ishte e sigurt se futja në garë...
Ama do ta stresonte kundërshtarin.
Po flasim për rezultatin, jo për stresin. Nëse do flasim me logjikën e stresit, tërheqja e kandidatëve të mazhorancës nuk është pak. Por, unë mendoj dhe ia kam thënë Fatosit se është mbyllur historia se nëse ai do konkurronte përballë një kandidati të mazhorancës, ai do të humbiste. PD do e votonte kundër dhe kam përshtypje që do kishte vota kundër edhe nga e majta.
Pra ju mendoni se dhe nga grupi i PS do kishte rrjedhje votash kundër z.Nano?
Për të qenë i sinqertë po.
Për çfarë arsye?
Mendoj se pas 2005 ka patur goxha ankesa, që do shpreheshin në votimin e fshehtë. Mënyra e të sjellurit të Fatosit, në perceptimin e shumë socialistëve kishte krijuar irritim në momente të caktuara. Këtë që po të them ia kam thënë edhe vetë Fatosit, dhe mendoj që ky acarim pas 2005 që në perceptimin e socialistëve që shpesh e kishin parë të ulej me përfaqësuesit e së djathtës në kulmin e fushatës elektorale do të sillte një efekt domino, që do ta vinte emrin e tij në këtë siklet që do bënte që votat e së majtës do shkonin djathtas. Do kishte socialistë që do preferonin të kishin një president të djathtë se sa Fatos Nanon president.
Mos më thoni që ky ka qenë shqetësimi i lidershipit të PS-së që të shpëtojë Fatos Nanon nga denigrimi.
Jo, nuk ka qenë shqetësim. Kjo është një mënyrë e imja e të parit të gjërave se si shpesh ndodhin gjërat, por kjo pyetje meritonte përgjigjen se po të kishim vënë Fatos Nanon në garë në raundin e katërt ai mund të merrte votat e PD-së. Jo. Unë po e them troç nuk do merrte. Mund të ndodhte absolutisht e kundërta, dhe do krijonte mundësinë që përballë tij të vendosej një kandidat shumë herë më i fortë se sa ministri i Brendshëm dhe me garanci të plotë fitoreje. Ju thatë që e keni takuar z.Nano, si ju është dukur ai? Karrocier i dehur i së majtës apo pjesë e shpirtit të revoltuar opozitar për dështimin e radhës përballë Berishës?
Jo jo. Ai është politikan profesionist dhe mendoj që kandidimi i tij për president është më tepër një kthim politik se sa një kërkesë me se s’bën president i Republikës.
Sa serioz duket paralajmërimi i anëtarit të Asamblesë Fatos Nano për një lëvizje që kërkon rilindje socialiste para rilindjes shqiptare?
Që Fatos Nano ka të drejtën e zotit të kthehet në politikë këtë s’e mohon askush. Por t’i thotë PS një vit para zgjedhjeve se do vij unë të zëvendësoj kryetarin e partisë, këtë dhe ai vetë nuk besoj se ai mund ta mendojë si një logjikë që është për t’u vlerësuar në këto kushte që ndodhet e majta, PS dhe opozita. PS nuk ka komoditet sot që të shikojë edhe njëherë një konkurrim të ri sa dhe të vjetër se kush do jetë kryetari i PS, një vit para fushatës.
Mendoni se ka vend për një rilindje socialiste?
Jo, nuk ka nevojë as për rilindje, as për histori të natyrave të tilla brenda PS. Ne na nevojitet të ndërtojmë një opozitë të madhe, që të përfshijë të gjithë atë që quhet psikikë opozitare në Shqipëri.
Si e pritët lajmin e darkës së famshme të Gjirit të Lalzit?
Në fillim u mërzita, mendoj që është e shpjegueshme dhe e imagjinoj, që do kishte një takim mes Ramës dhe Metës, por nuk e mendoja që do shkonte në shtëpinë e Metës për çdo lloj arsye.
Jua tregoi vetë Rama apo e morët vesh nga mediat?
E mora vesh nga miq të tjerë, e mora vesh punë orësh që ai ishte duke darkuar. Mora vesh se kush kishte qenë interlokutor. Në fillim u mërzita jashtëzakonisht dhe nuk e kuptova dhe për interlokutorët, ata më mërzitën më tepër. Por, problemi sot mund të bëj edhe pyetjen tjetër. A iku Rama për të ulur kokën përballë Metës, për t’i kërkuar falje për ndonjë gjë? A iku për të harruar katër të vrarët e 21 janarit, se ishte penduar për diçka, se ishte fiksuar për tu bërë kryeministër dhe kjo ishte rruga më e shkurtër? Mendoj se arsyeja bazë ishte se Rama donte të sfidonte një skemë për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri. Donte të realizonte një presion të brendshëm në mazhorancë, ashtu siç ajo ndodhi në fazën e parë. Mori një risk të madh duke e kryer atë veprim, por në fund mendoj se plani i tij ishte ajo që shkruajti në editorial, ai donte rrëzimin e qeverisë të Sali Berishës.
Pra, ju nuk shikoni një të ardhme mes PS e LSI?
Po të shikojmë rrethanat mendoj se janë mjaft kokëfortë, nuk mendoj se sot ekziston një fabul, një parti që ndryshon ministrat. Kemi të bëjmë me një rifreskim kontrate.
Jo më larg se të hënën Rama deklaroi se nëse LSI ikën nga qeveria, PS do bashkëpunojë me të. A është kjo deklaratë e konsultuar me kryesinë e partisë?
Nuk mendoj së gjërat e natyrave të tilla duhet patjetër të konsultohen me kryesinë e PS-së. Mendoj se gjithë kjo histori nga Gjiri i Lalzit deri më sot ka dhënë përgjigje se çfarë duhet të bënte PS me LSI-në në sensin se si do shkojë e majta në zgjedhje. Këtë përgjigje më shumë se z.Rama e ka dhënë LSI me dy vendimet e fundit, presidentin dhe ndryshimet në qeveri. Ajo që i takon PS është të shikojë majtas dhe djathtas se kush është opozitar në Shqipëri.
Ndërsa flirtohet me Metën, raportet me aleatët aktual janë për të thënë më të paktën, të tensionuara. Pse kjo klimë jo e mirë?
Sepse opozicioni ndan opinionin, kjo vjen edhe nga një situatë thellësisht e mjegullt, jo për faj të PS-së. Kjo do qartësohet në një moment të dytë, duke afruar fushata zgjedhore. PS-së i duhet një rifreskim i gjithë shikimit të atij që quhet spektri opozitar para zgjedhjeve të 2013 sepse ka ndryshime të mëdha.
Në skenën politike kanë lindur parti të reja.
Për mua ta them hapur, qoftë partia FRD, qoftë Aleanca Kuq e zi, janë aleate të natyrshme të opozicionit në Shqipëri, të një shtrese shoqërore që kërkon ndryshimin. Ne duhet të ulemi me ta për t’i fiksuar ata në një ditë, në një kuti për një qëllim të përbashkët. Ne duhet të jemi pragmatistë për tu ulur me gjithë njerëzit që duan ndryshimin në Shqipëri. Dhe nuk ka diferenca jo i majtë e i djathtë.
Mendoni se partia e z.Topi të jetë aleate para apo pas zgjedhjeve?
Unë mendoj, parazgjedhor.
Edhe me Aleancën Kuq e Zi?
Po. Deri sa jemi opozitarë, ne de fakto bashkëpunëtorë jemi, ata na shikojnë si bashkëpunëtorë.
Rama thotë se me apo pa LSI në 2013 ne i fitojmë zgjedhjet. Mendoni se kjo është logjika e duhur për fitore?
Ju mendoni se ne do themi që pa LSI, ne do rrimë deri në 2018, kur i bie,...?! Që dikush të mërzitet dhe të vijë me ne. Secili ka mendjen e vet dhe interesat e veta dhe askush nuk mund të ndërhyjë brenda një partie, qoftë kjo edhe LSI dhe të thotë, që mua më intereson më shumë të jem në koalicion me PD-në apo nesër me PS-në. Kjo është në vullnetin e tyre. Ne kemi axhendën tonë, ata që janë opozitarë dhe e kanë ndarë mendjen që në zgjedhjet e ardhshme të hyjnë si opozitarë, nuk mund t’i thuash vetes opozitar dhe ngaqë je i pakënaqur me Ed Ramën thua, me Ramën nuk po funksionoj dhe po shkoj me Berishën. Po pse Edi Rama të bëka ty, opozitar? Edi Rama ta jep cilësinë për të ndryshuar këtë vend për mirë apo për keq. Pse ndodh kështu në PS?
A është 2013 basti i fundit i Edi Ramës?
Ju flisni sikur 2013 do jetë një histori ku dështimi i opozitës është dështimi i Edi Ramës. Mendoj se është shumë më e gjerë se diskutimi i fatit të Ramës, dhe do ishte shumë sempliste se gjithë këtë histori ta lidhnim me faktin se ai do të hynte apo jo si kryeministër një ditë pas zgjedhjeve të 2013. Mendoj se edhe ai vetë e di që qenia e tij kryeministër është vetëm një detaj.
Këtu bashkoheni me atë që thotë Blushi, që ka thënë se PS e dëmton obsesioni për të bërë Ramën kryeministër.
Thashë që është vetëm një detaj. Ne të gjithë kemi një kapak që në një mënyrë apo në një tjetër po i bën dëm, edhe PD-së. Sot PD pas 20 vitesh, ka ardhur në cilësi dhe kualitete në përfaqësimin qeveritar në atë që PP-së ju deshën 30 vjet që erdhi te niveli si Lenka Çuko apo ku di unë. Dhe kjo do të thotë se po mbyllet një cikël që nuk ofron shpresë, ofron premtime, sistem blerje dobësish në funksion dhënie-marrjesh, por shpresë, jo. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›