Perfundon mandatin Kryeministri Berisha pret Van Den Dool
Kryeministri, Sali Berisha priti ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë Van Den Dool me rastin e përfundimit të mandatit të tij, duke e falenderuar për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Holanda i ka dhënë Shqipërisë në vijimësi gjatë gjithë këtyre viteve. Në veçanti Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për projektet shumë të rëndësishme që qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë holandeze realizuan gjatë mandatit të ambasadorit Van Den Dool në Tiranë. Ambasadori holandez vlerësoi si të shkëlqyer, të hapur, të ngushtë e miqësor bashkëpunimin që me qeverinë shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Van Den Dool, u shpreh se largohet nga Shqipëria me përshtypjet më të mira dhe se gjatë këtyre katër viteve të fundit transformimet rrënjësore që kanë ndodhur në vend bëjnë çdokënd të mendojë se Shqipëria është sot një vend krejtësisht i ndryshëm nga çka qenë katër vjet më parë. Të një rëndësie të madhe historike ai vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizmin e vizave me Bashkimin Evropian, kryesimin e Këshillit të Evropës dhe ecjen përpara me vendosmëri drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim Van Den Dool vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare në realizmin e reformave vendimtare në të gjitha këto drejtime.