Paneta: SHBA të përmirësojë raportet me Pakistanin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, tha se Uashingtoni nuk ka "zgjedhje tjetër", poR të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Pakistanin, pasi "ka nevojë për ndihmën e Islamabadit në luftën kundër Al Kaidës".
Duke folur së bashku me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, në një ngjarje televizive në Uashington, Paneta tha se fuqia bërthamore e Pakistanit përfaqëson "një forcë të rëndësishme në atë rajon.
Sekretari i Mbrojtjes, i cili mori detyrën muajin e kaluar, dha një vlerësim pozitiv të luftës kundër militantëve talibanë në Afganistan.
"Jemi duke bërë progres shumë të mirë në aspektin e sigurisë, sidomos në jug dhe jugperëndim. Ato janë zona të vështira. Duhet të bëjmë përpjekje për të përmirësuar situatën në lindje. Por, në përgjithësi, situata është më mirë. Kemi dobësuar talibanët në mënyrë të konsiderueshme dhe jemi duke vazhduar në këtë drejtim. Jemi duke vazhduar në ndërtimin e ushtrisë dhe të policisë afgane", tha Paneta.
Diskutimi televiziv ka përfshirë pyetje në lidhje me politikën amerikane ndaj botës arabe.
Klinton mbrojti vendimin e administratës Obama që t`i mos bëjë thirrje presidentit sirian, Bashar al-Asad, të japë dorëheqje, pavarësisht goditjes së tij brutale ndaj protestuesve anti-qeveritarë.
Klinton tha se dënimi nga e gjithë bota arabe do të jetë më efektiv sesa një thirrje e SHBA-së për largimin e Asadit.
Në deklaratën e 3 gushtit, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënuan dhunën e Asadit ndaj protestuesve.