E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Të nisë puna për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome

• Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, ka kërkuar dje të nisin punimet për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome.Duke folur në emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla, kreu i dikasterit të Turizmit ka theksuar se, pasi janë parë arkivat e shtetit, rezulton se toka ku do të ndërtohet ky fshat turistik nuk i përket banorëve, të cilët e kërkojnë prej katër vjetësh, por shtetit. "Jam interesuar deri në Arkivin e Shtetit për të argumentuar përfundimisht që pretenduesit e tokës nuk e zotërojnë atë edhe pas kalimit në dy shkallë gjyqësore në kohën e Mbretit Zog dhe, pasi kam parë dokumentet përkatëse të nxjerra nga Arkivi i Shtetit, kam dalë dhe kam deklaruar se zotëria që ka lejen duhet të fillojë në bashkëpunim me Club-Med", theksoi mbrëmë ministri Pango. Sipas tij, reagimi i banorëve të Nivicës, të cilët pretendojnë pronësinë e fshatit, ka qenë i menjëhershëm, teksa ka shtuar se kjo procedurë është vonuar deri sa t'i jepej një përgjigje e saktë pretendimit të banorëve. "E kam mbështetur fuqimisht dhe ndërkohë po ju garantoj se kanë ardhur me dhjetëra sms nga banorë të Nivicës, të cilët pretendonin që unë po u merrja tokat. Shprehimisht u kam thënë se unë si ministër Turizmi, as jap e as marr toka, nëse keni dokument hajde ta zhvillojmë turizmin bashkë. Problemi i konfliktit të pronësisë ka vonuar një nga risortet dhe këtë gjë s'e keni realizuar as ju. Kakomeja nuk është problem zhvillim turizmi, është problem pronësie. Problemet e pronësisë nuk është se kanë qenë probleme të thjeshta në asnjë nga vendet ish- socialiste", tha më tej Pango. Ndërsa ish ministri i Turizmit, Artan Lame tha se "Problemi i Kakomesë është që këtu mund të thuhej ejani se këtu mund të punohet, investitorëve të tjerë". Vendimi i qeverisë Nano shkaktoi debate të mëdha pas kundërshtive të opozitës. Ndërkohë në studimin e fundit të bregdetit nga ana e Bankës Botërore është lënë që në këtë zonë të ndërtohet fshati turistik i Club-Med.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›