E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango, antiministri i Kulturës

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim, në një dalje publike nëpërmjet zëvendëskryetarit të saj, Pëllumb Xhufi, ka lajmëruar se do të kërkojë interpelancë me ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, për çështjet e monumenteve të kulturës. Xhufi u shpreh se “Shqetësimi ynë lind nga një akt i ri vandal që bëhet ndaj kulturës dhe ndaj historisë kombëtare. Këto ditë të fundit sikurse është marrë vesh, një monument i papërsëritshëm i historisë së kulturës së Tiranës, por dhe me rëndësi kombëtare, siç është Manastiri i Shën Mërisë së Brarit, dy hapa larg Tiranës, është dhunuar rëndë, është ndërhyrë me ekskavator, me ruspa, duke shkatërruar varret e stërlashta të këtij monumenti dhe këtij vendi të shenjtë, duke shkatërruar edhe rrënojat e tij. Ndër varret e shkatërruara është dhe varri i një personazhi të njohur si Sebasti Mihal Skurra, i vitit 1201 dhe është fat i madh që pllaka mortore me emrin dhe me mbishkrimin përkatës në gjuhët latinisht edhe greqishte bizantine është shpërngulur prej kohësh dhe ruhet në Muzeun Kombëtar. Ky akt i fundit është një moment tjetër në “serial killing” të kulturës dhe historisë kombëtare që pikërisht edhe në këto ditë të nxehta të gushtit kanë shënuar hapa të tjerë. Pra kemi të bëjmë me një fushatë të organizuar, për të cilën organet përkatëse që merren me ruajtjen e monumenteve, që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, por dhe vetë qeveria mbajnë përgjegjësinë e tyre. Dua të kujtoj që nuk është pa interes dhe pa ndikim në këtë varg shkatërrimesh dhe dhunimesh të monumenteve të kulturës të denigrimit të personaliteteve dhe vetë simboleve tona kombëtare, edhe kërkesa e përsëritur që vetë Kryeministri ka bërë për të rishikuar historinë dhe personalitetet apo dhe simbolet kombëtare, shenja më e dukshme e tyre është tentativë për të ndryshuar emrin e Universitetit të Vlorës, apo dhe vetë ajo shqiponja e shpërfytyruar që zbukuron sot sallën e konferencave të Kryeministrit të Shqipërisë. Ne si forcë politike e konsiderojmë si ngjarje të rëndë edhe këtë dhunim të fundit të Kishës së Shën Mërisë së Brarit dhe kërkojmë urgjentisht nga Kryeministri që të thërrasë kudo ku është antiministri i Kulturës z. Pango, qoftë në bregdetin e Vlorës, apo të Jonit apo diku jashtë shtetit, ta thërrasë, në mënyrë që ai të informohet vetë për gjendjen, për rrethanat, dhe për gjendjen e monumentit të informojë qeverinë për një gjë të tillë dhe natyrisht të informojë dhe publikun e gjerë.
Academia e Shkencave dhe Profesorati i UT të dalin në mbrojtje të kulturës
Nga ana tjetër, do të doja me këtë rast, në emër të LSI, t i bëj thirrje Akademisë së re të riformatuar të Shkencave, Qendrës Ndëruniversitare Albanologjike, Profesoratit të UT, dhe të universiteteve të tjera të vendit, që të vijnë në vijë të parë siç u takon, në mbrojtje të kulturës dhe të monumenteve të historisë dhe kulturës shqiptare. Nga ana tjetër, do doja t i kujtoja se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, LSI do të bëjë një interpelancë urgjente me ministrin e Kulturës, Pango, për gjendjen aktuale të monumenteve të Kulturës dhe Historisë në Shqipëri”,- përfundoi Xhufi.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›