E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango rrezikon akuzën e përdhunimit në tentativë

06/03/2009  Prokuroria e Përgjithshme sekuestron kasetat e “Fiks Fare”, procedura e ndjekur

Nisin hetimet për “abuzim me postin në shkëmbim të favoreve seksuale”

Elton Qyno

TIRANE- Menjëherë pas publikimit të videos skandal, ku ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, tenton të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë që kërkonte punë, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj Ylli Pangos, për abuzim me postin në shkëmbim të favoreve seksuale. Pikërisht për të hedhur sa më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes skandaloze, dy prokurorë të organit të akuzës shqiptare, me urdhër të drejtorit të hetimit dhe ndjekjes penale Sokol Stojani, janë paraqitur dje në mesditë në studion e emisionit “Fiks Fare”, ku dhe kanë kërkuar kasetat filmike, ku ish-drejtuesi i kulturës shqiptare, Ylli Pango, shfaqet duke ngacmuar seksualisht një vajzë të re, në shkëmbim të një vendi punë. Nga burime pranë grupit hetimor mësohet se pamjet vizive dhe përgjimi do të verifikohen dhe më pas do të vendoset se çfarë hapash konkrete do ndiqen. Burimet thanë se kaseta e përgjimit, të kryer nga drejtuesit e emisionit “Fiks Fare”, do t’i nënshtrohet një ekspertize nga dy specialistë që kanë njohuri mbi çështje të tilla. Të gjitha detajet që do të nxirren nga ekspertiza, do të raportohen vetëm në shërbim të procesit hetimor që Prokuroria ka nisur ndaj ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë që në të njëjtën linjë specialistët e Prokurorisë pritet të marrin deklarimet e vajzës që ka kërkuar realisht punë në ministri. Nga sa mësohet ajo është identifikuar, por që për arsye hetimore emri i saj nuk bëhet i ditur. Pas kryerjes së veprimeve hetimore si dhe analizimin e provave materiale të mbledhura gjatë procesit të hetimit, organi i akuzës qendrore do të vendosë edhe për marrjen ose jo në pyetje, të ish- ministrit të Turizmit Ylli Pango.

Imuniteti dhe hetimi

Në qoftë se prokurorëve do t’u duhet dëshmia e ministrit, atëherë përfaqësuesit e akuzës do t’i drejtohen Parlamentit shqiptar, në të cilin do të kërkohet heqja e imunitetit të deputetit Ylli Pango. Zhveshja e “uniformës” mbrojtëse, vendoset nga deputetët e tjerë me shumicë të thjeshtë. Ndërkohë që mbledhja e provave dhe sekuestrimi i pamjeve filmike dhe administrimi i tyre nga Prokuroria si provë materiale, shihet me një këndvështrim tjetër nga juristë të ndryshim. Sipas tyre, organi i akuzës ka të drejtë të sekuestrojë çdo material të dyshimtë dhe ta cilësojë atë si provë materiale. Mirëpo kur dosja penale i kalon gjykatës për proces gjykimi, atëherë është trupi gjykues ai që vendos vlerësimin e provës materiale, nëse ajo do të merret për bazë ose jo, për dënimin e personit të pandehur. Juristët shprehen se në qoftë se videokaseta që tregon ish-ministrin Ylli Pango duke ngacmuar seksualisht një vajzë, nuk është regjistruar me një vendim gjykate, atëherë ka shumë gjasa që ajo të rrëzohet si provë nga trupi gjykues, pasi përgjimi apo filmimi i një personi, kryhet vetëm atëherë kur gjykata vendos “ok” e saj. Eksperienca ka treguar se shumica e çështjeve me natyrë të tillë që janë nisur nga Prokuroria, janë rrëzuar në gjykatë, pasi kjo e fundit ka nxjerrë të pavlefshëm përgjimin e kryer nga emisioni “Fiks Fare”. Rasti më konkret është ai i drejtorit aktual të Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili është përgjuar në shtator të vitit 2006 nga emisioni “Fiks Fare”. Skandali bëri shumë bujë dhe menjëherë Prokuroria e Tiranës filloi hetimet. Çështja shkoi në gjykatë, ku i pandehur ishte Gazmend Dibra. Pas disa proceseve maratonë Dibra mori pafajësi, pasi përgjimi i kryer nga “Fiks Fare”, i cili u administrua si provë nga Prokuroria, nuk u morë për bazë nga trupi gjykues.

Filip Çakulli depoziton padinë në Prokurorinë e Përgjithshme

Drejtori i “Fiks Fare” padit Pangon për shpifje

Ish-ministri kishte deklaruar pas emisionit se ishte një montim i medias

TIRANE- Drejtori i emisionit televiziv “Fiks Fare”, Filip Çakulli, ka depozituar dje në mesditë një padi në Prokurorinë e Përgjithshme kundër ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, për shpifje për shkak të detyrës. Sipas të dhënave, mësohet se ish-ministri ka deklaruar në lidhje me skandalin seksual që iu publikua në “Top Channel”, duke thënë se ngjarja ishte një montatorë e këtij stacioni televiziv. Në reagim të kësaj deklarate, Çakulli ka kërkuar menjëherë hetim nga organi i akuzës pasi sipas tij, nëpërmjet shpifjes ministri ka akuzuar drejtpërdrejt drejtorin e emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakullin. Skandali seksual u transmetua dy ditë më parë në televizion. Pamje filmike të regjistruara me kamera të fshehtë, janë publikuar duke hedhur dyshime të forta në figurën morale të ministrit Pango. Një ish-pedagog me gradat profesor e doktor, militant në vite i Partisë Demokratike, Pango demonstrohet në video, me pamje provokative që hedhin dyshime të forta për shfrytëzim posti përmes ngacmimeve seksuale. Në pamjet dhe regjistrimet audio, tregoheshin dy vajza, të cilat shtireshin se kërkonin të punësoheshin në strukturat në varësi të Pangos. Sipas pamjeve që ishin autentike, ministri vuri shumë në dyshim moralin e tij kur përpiqej të përfitonte seksualisht në të paktën një prej vajzave që u paraqit për punësim në shtëpinë e tij.

Çashku padit

Rektori i Akademisë së Filmit “Marubi”, Kujtim Çashku, ka kryer një kallëzim tjetër për shpifje ndaj ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango. Ditën e djeshme rreth orës 12:30 ai është paraqitur në organin e akuzës kryeqytetase, ku ka depozituar në sekretarinë e këtij institucioni një kallëzim penal, i cili bazohet në nenin që bën fjalë për shpifjen. Mësohet se ish-ministri ka hedhur akuza të pabaza në drejtim të Kujtim Çashkut, gjatë një emisioni televiziv.

Neni 102

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Në këtë rast ish-ministri Pango ka konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë” mbetur në tentativë. Aktualisht procedimi penal në ngarkim të tij e përmban këtë akuzë.

Neni 248

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërputhje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet si dhe me gjobë 30.000 lekë deri në 1 milion.

Ish-ministri lë pa fjalë stafin

Konferenca e munguar, “duke pritur Godonë”

Çdo gjë dukej e qetë në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, e madje mes vetë punonjësve nuk munguan as buzëqeshjet nën buzë. Një ditë pas publikimit të skandalit seksual të ministrit Ylli Pango, puna në ministrinë e drejtuar deri dje prej tij të jepte përshtypjen se vazhdonte normalisht. Edhe pse çështja mund ta donte që nga çasti në çast të dilej me ndonjë konferencë për shtyp apo deklaratë shfajësimi nga ana e Pangos, konferencë për të cilën madje pati edhe një gjysmëkomunikimi (megjithëse nuk u përcaktua asnjë orar), asgjë nuk ndodhi. Gjithçka mbeti në tentativë, në pritje të një reagimi, i cili gjithashtu nuk erdhi deri në orët e vona. Vetë ministri Pango ishte shprehur se asgjë nuk ishte e vërtetë nga ajo që ishte shfaqur në ekran, por gjithçka ishte thjesht një montim i medias (!). Porse nuk pati shansin të fliste edhe një herë publikisht në ambientet ku qëndroi për muaj të tërë si ministër e “të bindte” për “të drejtën” e tij..

Tryeza e Skënderbeut me një karrige bosh

Simpoziumi pa Pangon dhe kokteji me banane

Folën për kohën e Skënderbeut dhe afërmendsh nuk kishin si të ndaleshin në të sotmen. Akademikë dhe historianë kanë organizuar dje tryezën shkencore të radhës “Skënderbeu dhe koha e tij”. Të mbledhur në një nga sallat e Ministrisë së Kulturës, në “panelin hijerëndë” mungonte ministri i saposhkarkuar Pango. Në atmosferën e një simpoziumi historik, u lexuan teza e artikuj që dukeshin të nxjerra nga vitet. E gjithçka i ngjasonte një komunikimi me veten. Thua se akademikët po shijonin largimin e “kreut” të kulturës, në cep të sallës i priste një koktej me banane, ëmbëlsira, byreçka të ngrohta e pak koka-kola për të lagur fytin (për ata që nuk duronin gaz kishte edhe “Amita”).

Në fund të fundit, atij që nuk i ikën koha kurrë është Skënderbeu... Dhe ai i “luftoi” turqit!.

Publikohet në mediat më prestigjioze

Skandali i ministrit bën xhiron e botës

Skandali i publikuar nga “Fiks Fare” lidhur me ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, po bën xhiron e botës në agjencitë më të njohura botërore. “The Associated Press” shkruan për këtë skandal se shkarkimi i Pangos ishte i menjëhershëm nga Kryeministri dhe akti i tij ishte i papranueshëm. Të njëjtin lajm ka njoftuar edhe “Corriere della Sera”. “Corriere della Sera” shkruan: "I menjëhershëm shkarkimi i ministrit të Kulturës, Ylli Pango, pas një video të transmetuar nga një televizion ku ai negocion me një vajzë në këmbim të një vend pune". Ndërsa “Herald Tribune” shkruan: "Shkarkohet ministri i Kulturës për abuzime seksuale me detyrën".

Ndërkohë, mediat e rajonit e kanë vlerësuar atë si një “Skandal në qeverinë Berisha”. Ndërkaq, videoja është shkarkuar edhe në youtube.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›