E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit nga hartimi i projektligjit, ende pa zgjidhje

Biznesi: Humbëm 400 mln euro prej Gjykatës Administrative

Asgjë nuk ka ndryshuar që nga hartimi i projektligjit për funksionimin e “gjykatave administrative”. Përveç faktit të krijimit të koalicionit nga 34 organizata biznesi, gjatë më shumë se një viti nga miratimi i projektligjit në qeveri, reforma e iniciuar nga amerikanët e USAID nuk po gjen mbështetjen e politikës që ta votojë në Kuvend. Për biznesin, përballja me gjykatat për çështje të ndryshme administrative po shkakton kosto të tepërta, për shkak të zvarritjes së vendimeve dhe mungesës së profesionalizimit. Ngritja e Gjykatës Administrative, në bazë të ligjit të ri, do të shkurtonte proceset dhe me ekspertët e fushës vendimet do të ishin më të drejta. Për këtë qëllim, koalicioni i 34 organizatave ka krijuar një rrjet të gjerë anëtarësh për më shumë presion ndaj politikës, duke zhvilluar tryeza takimi në disa qytete të vendit, në mënyrë që zëri “pro gjykatës administrative” të ishte më i fortë. Por deri tani asgjë nuk po ndryshon, madje po përkeqësohet për shkak të krizës politike. Pa opozitën në Parlament miratimi i ligjit me 84 vota pro bëhet i pamundur dhe pikërisht këtu ka ngecur procesi.

Përfaqësues të biznesit dhe organizatave jofitimprurëse u takuan dje në Tiranë për të vlerësuar përpjekjet e deritanishme në përkrahje të projektligjit për “Gjykatat Administrative” dhe për të diskutuar planet për javët e ardhshme.

Sipas Ilir Zhillës, kreut të Unionit të Dhomave të Tregtisë, biznesit po i kushtojnë shumë proceset e gjata në gjykata, ndërsa vlerësohet një kosto e përafërt me 400 milionë euro. Kurse Zenel Hoxha, i Dhomës Britanike të Tregtisë, kërkoi më shumë angazhim pas miratimit të ligjit, ndërkohë të shikohen edhe një herë pjesët e projektit. Më i drejtpërdrejtë është treguar presidenti i Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, i cili ia vuri përgjegjësinë opozitës, mungesa e të cilës në Parlament ka shkaktuar mosmiratimin e ligjit. “Në tërësi drafti është i pranueshëm, megjithatë mund të bëhet edhe rishikime”, iu është drejtuar presidenti i Konfundustrisë, Gjergj Buxhuku, anëtarëve të koalicionit. Sipas bizneseve anëtare në koalicion, kriza politike po bllokon gjykatën administrative.

Përfaqësues të Koalicionit që folën në takim, theksuan se që nga mbledhja e parë e Koalicionit në shtator 2010, ata kanë organizuar tryeza të rrumbullakëta me njerëz të biznesit, të shoqërisë civile dhe të pushtetit lokal në 12 rajonet e vendit për t’i informuar këto grupe mbi projektligjin për gjykatat administrative dhe për t’i angazhuar në përpjekjet për miratimin e tij.

Sipas biznesit, miratimi i projektligjit për “Gjykatat Administrative” do t’i hapë rrugën ngritjes së sistemit të këtyre gjykatave, një institucion, të cilin bizneset shqiptare e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore për çështje të rëndësishme në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, si dhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›