Panionios zyrtarizon Kuqin

Skuadra greke, Panionios e ka zyrtarizuar transferin më të ri – Njazi Kuqi, i cili së fundmi ka bartur fanellën e klubit finlandez, TPS Turku.
Uebfaqja zyrtare e klubit nga Superliga greke (www.panionios.gr), shkruan se me sulmuesin kosovar ka firmosur kontratë dyvjeçare.
Ndërsa, ish sulmuesi i Birminghamit dhe TUS Koblenzit është shprehur i lumtur me kalimin e tij te Panionios.
“Jam shumë i lumtur që do të luaj te Panionios. Më kanë thënë që kam ardhur në klub me histori në vend. Gjithashtu, jam i lumtur që pas Anglisë dhe Gjermanisë do të luaj edhe në Greqi”, ka thënë Kuqi për ueb faqen zyrtare të klubit grek.
Reprezentuesi finlandez ka falënderuar presidentin Gerasimos Ventura, trajnerin Lemonis Takis dhe njerëzit e tjerë të klubit për besimin e dhënë. Ai u ka premtuar atyre se do të bëjë gjithçka që ta shpërblejë besimin e tyre si dhe ta ndihmojë klubin t’i arrijë objektivat.