Çështja “Pango”, reagimi, një mësim për çdo qeveri
Rrjeti Shqiptar kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Trafikimit, reagoi dje me anë të një deklarate për shtyp, ku deklaroi se reagimi institucional për çështjen “Pango” ishte një mësim që çdo qeveri duhet ta mbajë mend. “I gjithë reagimi shoqëror kundër këtij rasti, pavarësisht nga ngjyrimet politike ose përkatësia gjinore a shoqërore, ishte një mësim i mirë për qeveritë dhe të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim, që jo vetëm të eliminojnë raste të tilla nga gjiri i tyre, por të identifikojnë dhe të luftojnë këto fenomene kudo që ndodhin, edhe në personat privatë; të mbështesin denoncimin e tyre, duke mos lejuar paragjykime dhe fajësime të grave dhe vajzave që bëhen viktima të kësaj sjelljeje”, - thuhet në deklaratën për shtyp. Ky rrjet bëri thirrje në Ditën Ndërkombëtare të Gruas që të rritet përfaqësimi i saj në vendimmarrje. “Roli i tyre në jetën e familjes dhe shoqërisë është i pazëvendësueshëm, prandaj meriton vetëm respekt dhe jo paragjykime. Ne mendojmë që rritja e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje është bërë imediate. Shqipëria është e vonuar. Ëndrrat, dëshirat dhe angazhimet e çdo femre shqiptare, si e çdo shtetasi të Republikës, ecin me orën evropiane të Shqipërisë”, - deklaroi Rrjeti Shqiptar kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Trafikimit.
Roshi: Pse e djathta do të fitojë mandatin e dytë
Koalicioni i djathtë do të rimandatohet. Kjo është bindja e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, ku kryetari i saj, Artur Roshi, në një takim me qytetarët e Gjirokastrës, ka dhënë edhe arsyet pse. Roshi deklaroi se e djathta do të fitojë për shkak të frymës së saj për të integruar vendin si dhe për të zhvilluar atë. Ai shtoi se shtresat e djathta të shoqërisë duhet të angazhohen më tepër për të futur përfaqësuesit e tyre në Kuvend, në mënyrë që të drejtat e tyre të përfaqësohen në vendimmarrje. “Për të gjithë ata që kanë thellësisht koncepte të djathta, ata që kërkojnë dekomunistizimin e plotë të shoqërisë, ata që kërkojnë të ndahen juridikisht nga e kaluara, si dhe për të gjithë ata që kërkojnë që fëmijët e tyre të mësojnë historinë e vërtetë të kombit, koncepti ynë është që të djathtët duhet të fitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qeverisja e djathtë dhe jo nga fryma e qeverisjes ku fitojnë dhe të majtët”, - tha Roshi në takimin me qytetarët e Gjirokastrës. Kreu i PBKD-së tha më tej se ka besim “tek dinjiteti, fisnikëria, tradita gjirokastrite që do të çojë në realizimin e qëllimit të përbashkët, që e djathta të fitojë mandatin e dytë qeverisës”.