E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa bën thirrje për vëllazërim gjatë vizitës në xhami

Në ditën e dytë të vizitës në Jordani, Gjatë një takimi me liderë të lartë myslimanë Papa Benedikti XVI vuri theksin te rreziku i përdorimit të besimit fetar për qëllime politike. Gjatë fjalës së mbajtur në Xhaminë e Mbretit Hysen në Aman, kreu i Selisë së Shenjtë vërejti se besimi fetar ishte një forcë e së mirës, por se "manipulimi" i saj shkaktonte dasi, madje edhe dhunë. Gjatë ditës së tetë të këtij turi vizitash në Lindjen e Mesme Papa ka në plan të vizitojë edhe Izraelin dhe Bregun Perëndimor.

Sipas analistëve, qëllimi kryesor i vizitës është përmirësimi i raporteve me botën islame, të përkeqësuara sidomos në çastin kur një fjalimi i tij në vitin 2006 ngjalli mërinë e komunitetit botëror mysliman. Disa grupe në Jordani i kanë kërkuar madje të kërkojë falje publike për atë fjalim, në të cilin citonte një studiues mesjetar që kritikonte Muhametin. Por Papa Benedikti kërkoi ndjesë publikisht që në atë kohë dhe nuk ndali te incidenti i pakëndshëm gjatë fjalës në Xhaminë e Amanit.

Gjatë këtij turi udhëtimesh Papa po bën gjithçka duhet për të treguar se Kisha Katolike ka synim afrimin mes dy besimeve në të gjitha ato pika që i largojnë nga njëri-tjetri. Gjatë fjalimit në Xhaminë e Amanit, Papa Benedikti u bëri thirrje myslimanëve dhe të krishterëve të Jordanisë të bashkëpunonin për të çuar përpara shoqërinë. "Disa mendojnë se besimi fetar është domosdoshmërisht shkak përçarjeje në botën tonë, kështu që argumentojnë se sa më pak vëmendje t‘i kushtohet besimit më sferën publike, aq më mirë është", tha Papa. "Sigurisht, kontradiktat e tensioneve mes pasuesve të traditave të ndryshme fetare, për fat të keq, nuk mund të mohohen. Gjithsesi, a nuk duhet të mendojmë një çast se është shpesh manipulimi ideologjik i besimit fetar, shpesh për qëllime politike, katalizatori i vërtetë i tensioneve dhe dasive, që ndonjëherë shtyhen edhe deri te vrapimet e dhunshme?".

Me të mbërritur në Aman, ditën e premte, numri një i Kishës Katolike e përkufizoi veten si "një pelegrin të paqes" dhe nënvizoi "respektin e thellë" ndaj islamit. Papa 82-vjeçar nuk la pa nënvizuar edhe "respektin e Jordanisë ndaj besimit fetar".

Vizita e Papa Benediktit ka qëllim mbështetjen e komunitetit të krishterë të Lindjes së Mesme dhe kontributin në përmirësimin e dialogut me myslimanëve dhe hebrenjve. Gjithsesi, ashtu si në rastin e vitit 2006, kur ndezi mërinë e myslimanëve përmes fjalimit të tij, kësaj here Papa ka nxitur mërinë e hebrenjve duke mos miratuar shkishërimin e një peshkopi që pak kohë më parë mohoi Holokaustin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›