E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa fjalim në OKB, Shqipëria braktis sallën

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 5 tetor 1965 – Papa Pali VI la si trashëgimi të misionit të tij humanitar në Kombet e Bashkuara një mesazh për udhëheqësit botërorë shumë të qartë: “Bëni paqe ose largohuni”. Thirrja e Papës për paqe përpara forumit më të madh diplomatik të botës frymëzoi ata që e dëgjuan dhe i dha një impuls të ri në sytë e botës pozicionit të Kombeve të Bashkuara. Edhe ministri i Jashtëm sovjetik, Andrei Gromiko, një diplomat i vjetër, i fortë dhe ateist, u mallëngjye nga fjalimi 32 minutësh i numrit 1 të Vatikanit përpara Asamblesë së Përgjithshme ditën e hënë. Një diplomat perëndimor citoi Gromikon të thoshte se ky fjalim “ishte njëri nga më të rëndësishmit të bërë ndonjëherë nga një burrë shteti përpara Kombeve të Bashkuara gjatë 20 viteve të ekzistencës së tij”. Ambasadori amerikan, Artur Xh. Goldberg, tha se lutja e Papës për paqe “kishte forcuar përpjekjet vitale të Kombeve të Bashkuara në punën e saj”.

Kërkesa indirekte

Veç kërkesës indirekte që “të ndalet lufta”, Papa Pali u dhuroi Kombeve të Bashkuara një pjesë të xhevahireve prej diamanti (150.000$) të koleksionit të papëve, të cilat do të përdoreshin në luftën kundër urisë në botë. Duke folur në gjuhën frënge përpara një audience prej 2000 personash, ku përfshiheshin dhe personalitete të tilla të larta si Zhaklin Kenedi, e veja e të vetmit president katolik amerikan, Xhon F. Kenedi, Papa Pali VI tha: “Dëgjoni fjalët e kulluara të një njeriu të madh si Xhon F. Kenedi, i fundit, i cili deklaroi katër vjet më parë: Njerëzimi duhet ti japë fund luftës, ose lufta do ti japë fund njerëzimit! Nuk duhen shumë fjalë për të treguar fisnikërinë e institucionit tuaj. Mjafton të kujtosh se gjaku i miliona njerëzve, se vuajtjet e panumërueshme dhe padëgjueshme, masakrat e panevojshme dhe shkatërrimet e frikshme janë leja e marrëveshjes që ju ju bashkon, me një zotim, i cili duhet të ndryshojë të ardhmen e historisë së botës”.

Gjashtë karrige bosh

Kishte vetëm gjashtë karrige bosh në sallën e Asamblesë, ndërsa Papa mbante fjalimin e tij – ato të delegacionit nga Shqipëria Komuniste. Përfaqësuesit e këtij vendi flasin shpesh dhe në emër të Kinës Komuniste, e cila nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Shumicën e kohës, Papa, me një staturë të vogël veshur me rrobën e tij të bardhë përpara podiumit prej mermeri jeshil, foli pothuajse pa emocione. Por me të dyja krahët e ngritura dhe zërin që forcohej, ai i kërkoi Asamblesë: “Ndal luftës; kurrë më luftë! Paqe. Është paqja, ajo që duhet të udhëheqë fatet e njerëzve dhe njerëzimit... Nëse doni që të jeni vëllezër, ulni armët tuaja. Askush nuk dashuron dot me armët e ngritura...”

Pritje madhështore

Nën një qiell pa re dhe të ftohtë, qyteti i Nju-Jorkut ishte përgatitur për të pritur vizitën e parë të një pape në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditën e diel. Shumë persona kishin udhëtuar që 24 orë më parë për të parë me sytë e tyre atin e shenjtë dhe për të marrë bekimin e tij. Përpara nisjes në Vatikan, Papa Pali VI i kërkoi turmës që ishte mbledhur përpara sheshit të Shën Pjetrit që të lutej për suksesin e pelegrinazhit të tij. Presidenti amerikan, Lindon Xhonson, u nis drejt Nju-Jorkut nga Uashingtoni për tu takuar me Palin VI. Xhonson mori me vete dhe vajzën e tij 18-vjeçare, Luelin, për ta prezantuar me udhëheqësin shpirtëror të kishës që ajo ishte pagëzuar. Papa mbërriti në Nju-Jork në orën 9:30 për të mbajtur një fjalim në Kombet e Bashkuara për paqen, përpara 550 milionë besimtarëve katolikë. I gjithë qyteti ishte përgatitur prej kohësh që ti rezervonte vizitës historike të atit të shenjtë në SHBA një nga pritjet më madhështore. Anash rrugës ku pritej të kalonte eskorta e Papës ishin vendosur barrikada për të kontrolluar miliona njerëzit që dolën të përshëndesnin atin e shenjtë. Të 18 mijë policët e Nju-Jorkut ishin në gatishmëri të vizitës 14-orëshe të Palit VI. Edhe masat e jashtëzakonshme të marra për ruajtjen e sigurisë së Sekretarit të Parë të PKBS-së, Nikita Hrushov, kryeministrit kuban Fidel Kastro dhe atij shqiptar, Mehmet Shehu, në vitin 1960 nuk ishin të tilla. Shumë persona ndodheshin prej një nate në katedralen e Shën Patrikut, ku papa pritej të mbante një meshë speciale. Shumë prej dyqaneve në metropolin amerikan kishin vendosur postera me ngjyra të Palit VI, ndërsa bashkia kishte vendosur ndalimqarkullimin në shumë zona të qytetit ku ai pritej të kalonte. Televizionet kishin instaluar kamera pothuajse në çdo segment rrugor duke pasqyruar të gjithë këtë eveniment. Disa televizione transmetuan sinjalin e tyre në satelitë edhe për Evropën. Në shfaqjen e tij të fundit publike përpara se të linte Vatikanin, Papa Pali VI dha meshën e tij të zakonshme të ditës së diel përpara sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan. Tridhjetë mijë turistë dhe qytetarë të besimit katolik shpërthyen në brohoritje ndërsa Pali VI u shfaq në dritare me rrobën e tij të bardhë. “Ne mendojmë se nuk jemi gabuar me prezencën tuaj sot këtu si një urim për fluturimin e nesërm”, - tha Papa. “Ne i falënderojmë të gjithë ata që na kanë dërguar urimet e tyre për udhëtimin e nesërm dhe dua të them se ata janë shumë. Më pas, ai shprehu dhe qëllimin e pelegrinazhit të tij: “Paqe në botë, paqe e zotit. Ne besojmë se ky veprim i veçantë do të mund ti shërbejë me të vërtetë paqes. Ne ju ftojmë të gjithëve të luteni që të mund ti shërbejmë një kauze të madhe, e cila është urgjente dhe shumë aktuale; të lutemi që të gjithë të kuptojnë dhe të përkrahin paqen, dhe që ne të mund të arrijmë për të mirën e përbashkët qëllimin që i kemi vënë vetes”.

Ky lajm është publikuar: 13/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›