E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag epidemie, 11 mijë të prekur nga gripi për 1 javë

 

Plot 11 mijë persona në gjithë vendin janë prekur nga gripi sezonal, vetëm gjatë javës së kaluar. Megjithëse nuk ka qenë aq agresiv në popullatë, specialistët e konsiderojnë situatën mjaft kritike. Ndërkaq kërcënimi është edhe më i madh për infektimin nga virusi AH1N1, për të cilin duhet trajtim krejt tjetër nga ai i gripit të zakonshëm. Por shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflun në të gjitha rastet e kërkuara. Nga ana tjetër, ata u bëjnë apel qytetarëve që të mos neglizhojnë simptomat dhe të drejtohen për konsulta pranë mjekëve të familjes. Sa i përket vaksinimit të popullatës, këshillohet që brenda këtij muaji të merret injeksioni për gripin e zakonshëm.
“Kemi një vaksinë të treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre”, u shpreh dje Dritan Ulqinaku, specialist i Institutit të Shëndetit Publik.
Sipas tij, vaksina është e rëndësishme për të rritur imunitetin e organizmit. Duke iu referuar rasteve të të prekurve, virusi i gripit të derrit deri tani ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal ato   pediatrike dhe të moshuarit. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal. Për fat të mirë, vetëm dy ditë më parë u inagurua laboratori i virologjisë. Tanimë strukturat shëndetësore nuk do të detyrohen të dërgojnë monstra të të dyshuarve në  laboratorin e referencës, por mund  t’i identifikojnë  brenda vendit rastet e të infektuarve. Gjithçka brenda 24 orëve. Deri më tani në vendin tonë janë prekur 44 persona nga virusi AH1N1, të cilët janë konfirmuar në laboratorin e Bukureshtit. Përgjigjet shpesh herë kanë ardhur me vonesë dhe mjekët janë detyruar të vendosin pa i pritur për skemën e mjekimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›