E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunësia, 143 mijë persona për 1500 vende pune



Shqiptarët do të vuajnë edhe për shumë kohë për të gjetur një vend pune të sigurt dhe të rregullt. Sipas studimeve dhe të dhënave zyrtare, papunësia do të mbetet një problem shqetësues për vendin tonë edhe për shumë kohë. Kjo nisur edhe nga politikat jo shumë efikase në krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në të gjithë vendin numërohen rreth 143 mijë të papunë. Por kjo shifër është shumë herë më e lartë, duke pasur parasysh se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit, ndërkohë që nuk ka të dhëna as për të papunët në sektorin e bujqësisë. Por pavarësisht gjendjes që vjen duke u rënduar, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka parashikuar për këtë vit vetëm tre projekte për punësim, që parashikojnë në total hapjen e 1500 vendeve të reja të punës. Një nivel shumë i ulët krahasuar me kërkesat që ka aktualisht tregu. Një ndër projektet e kësaj ministrisë i dedikohet të rinjve që sapo përfundojnë shkollën. Por edhe pse nga fakultetet dalin çdo vit me mijëra të rinj, këtë vit vetëm 500 prej tyre do të punësohen. Edhe gjatë vitit të kaluar, situate ishte e njëjtë. Projektet e ministrisë parashikonin punësimin e vetëm 2 mijë njerëzve. Një shifër minimale për një fenomen si papunësia që aktualisht llogaritet në nivelin e 13.2 për qind.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›