E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipojë, gati fondet për urën

Investimi

Pas më shumë se 6 dekadash fshati turistik i Rrjollit në Komunën Velipojë do të lidhet me pjesën tjetër të vendit me anë të një ure. Për momentin banorët e fshatit përshkojnë çdo ditë një rrugë rrëzë mali, e cila është pothuajse e pakalueshme për automjetet e vogla. Në këto kushte banorët e Rrjollit kalonin me varka dhe mjete primitive lagunën e Vilunit për të dalë në plazhin e Velipojës. Para tre vitesh vetë banorët e zonës ndërtuan një urë modeste prej dërrase, e cila aktualisht është duke u shembur dhe është pothuajse e pakalueshme. Duke parë gjendjen e këtij fshati me 1500 banorë, Komuna e Velipojës ka ndërhyrë me një fond prej 40 mijë eurosh duke siguruar bazën materiale për ndërtimin e urës dhe këto ditë pritet të nisin punimet. Aktualisht, e gjithë baza materiale është vendosur pranë lagunës së Vilunit dhe nga dita në ditë pritet të nisë puna. Drejtues të Komunës Velipojë shprehen se investimi në fjalë ka qenë tepër i domosdoshëm për banorët e zonës, të cilët kishin mbetur thuajse të izoluar. Kryetari i Komunës së Velipojës, Nikoll Marku, shprehet se përveç urës për të cilën është siguruar baza materiale është përgatitur një projekt dhe për rikonstruksionin e rrugës së vjetër të këtij fshati.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›