E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada gay, PLL: Devijimet seksuale, mallkim

Spahiu dhe Totozani

TIRANË- Partia Lëvizja e Legalitetit i është përgjigjur sot Avokatit të Popullit, lidhur me kërkesën e tij për të kërkuar në mënyrë urgjente ndjesë publike, pas deklarimeve të kreut Ekrem Spahiu se, në rast te nje parade të homoseksualve në Tiranë, do ti kapim në hu.

Përtej natyrës jo-formale dhe vërtetësisë së citimit që gazeta i ka bërë zotni Spahiut, Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh publikisht qëndrimin e saj se është kundër çdo aktiviteti që promovon antivlera, cenon moralin shoqëror dhe fyen ndjenjat e kombit. Çdo manifestim i LGBD-ve hyn në këtë përcaktim.- thuhet në deklaratën për shtyp të PLL-së.

PLL e konsideron çdo devijim seksual, si ves, fatkeqësi ose mallkim, ajo shprehet e vendosur për ti prerë rrugën e qytetarisë këtij fenomeni  me pasoja dekadente dhe shkatërruese për individin, vlerat tradicionale, shenjtërinë e familjes, moralin e shëndoshë dhe përcaktimin hyjnor.

Duke e konsideruar të papërshtatshme dhe të papranueshme, PLL vlerëson se kërkesa ultimative e Avokatit të Popullit është drejtuar gabim.

Por e gjejmë me vend ti kujtojmë se ai është institucioni i Avokatit të Popullit (shqiptar), interesat e së cilit duhet ti ketë parësore më shumë se protagonizmi i panevojshëm.- përfundon deklarata.

Parada gay, Spahiu: Do i kapim në hu. Reagon Totozani

Reagime pas deklaratës së zv.ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, kundër paradës së komunitetit homoseksual, planifikuar të mbahet në Tiranë, më 17 maj.

Avokati i Popullit, Igli Totozani në një reagim të sotëm e ka quajtur deklaratën, jo vetëm fyese, por si nxitëse të urrejtjes dhe dhunës, duke kërkuar prej tij ndjesë publike.

Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale- thuhet në reagim.

Zëvendësministri ishte cituar sot në Gazeta Shqiptare, pyetur pikërisht për paradën në fjalë, duke thënë se do ti kapin në hu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›