E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt, arrestohet shqiptarja, përgjegjëse për sulmin me bombë në Kajro



Së bashku me shqiptaren me nënshtetësi franceze u vunë në pranga dhe gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohen si pjesëtarë të një celule terroriste që ka lidhje me “Al Qaeda”-n

Policia egjiptiane ka arrestuar një grua shqiptare, e cila akuzohet si pjesëmarrëse në sulmin me bomba të ndodhur në shkurt në pazarin e vjetër të Kajros dhe si pjesëtare të një celule të lidhur me organizatën terroriste “Al Qaeda”. Së bashku me shqiptaren me nënshtetësi franceze u vunë në pranga dhe gjashtë persona të tjerë. Sipas mediave të huaja, gruaja merrej me transportimin e të ardhurave për grupin, i cili vepronte në Egjipt dhe Palestinë për të bërë të mundur që ata të siguronin armët e nevojshme për të ndërmarrë sulmet terroriste. Të arrestuarit e tjerë janë një shtetas britanik me origjinë egjiptiane, dy egjiptianë, një shtetas belg me origjinë nga Tunizia dhe dy palestinezë.

Sipas ministrit të Brendshëm të Egjiptit, policia arriti që të binte në gjurmë të celulës terroriste, e cila konsiderohet përgjegjëse për ngjarjen e tre muajve më parë, ku humbi jetën një studente franceze dhe u plagosën 24 persona të tjerë.

Agjentët e policisë ishin të aftë nëpërmjet informacioneve të marra dhe vëzhgimeve të thyera, që të identifikonin një grup, disa prej tyre egjiptianë dhe të tjerë të huaj, të cilët janë të lidhur me “Al Qaeda”-n dhe shtatë prej tyre u arrestuan.

Sipas një zyrtari të sigurisë egjiptiane, i cili foli për AFP-në, po punohet për gjetjen e pjesëtarëve të tjerë të grupit.

“Është një organizatë e madhe dhe ka të tjerë persona në kërkim. Celula merrej me organizimin e operacioneve terroriste në vend dhe jashtë saj”, - u shpreh ai.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, arrestimet mund të kenë ndodhur një muaj më parë.

Zyrtarët egjiptianë shprehen se disa prej anëtarëve të celulës mund të kenë udhëtuar për në Rripin e Gazës nëpërmjet tuneleve nëntokësore afër kufirit, për të kryer stërvitje ushtarake aty, që do t’i ndihmonin ata në kryerjen e akteve terroriste.

Madje, disa prej tyre ishin stërvitur që të kryenin akte terroriste tek turistët në gadishullin e Sinait, një prej vendeve më të vizituara. Ndërkohë që anëtarët e celulës kanë marrë dhe trajnime në Gaza për të kryer këto sulme. Nga marrja në pyetje, njëri prej të arrestuarve u shpreh se po planifikohej madje edhe një sulm në shtetin francez.

Midis viteve 2004-2006, në Egjipt pati disa sulme terroriste me bomba në vendet turistike në Detin e Kuq, ku humbën jetën dhjetëra turistë dhe egjiptianë dhe përgjegjës nga autoritetet u bë “Al Qaeda”. Më 22 shkurt në pazarin e vjetër të Kajros “Khan al-Khalili bazuar”, humbi jetën një studente franceze si dhe u plagosën 24 persona të tjerë. Në këtë vend ishte vendosur një bombë e cila shkaktoi edhe tragjedinë. Ky ishte sulmi i parë terrorist në vend, pas atij të ndodhur në vitin 2006, ku humbën jetën 23 turistë në gadishullin e Sinait.

Sulmet ndodhën pas mbështetjes së Egjiptit për ndihmën e dhënë Izraelit për vendosjen e bllokadës ndaj Hamasit ne Rripin e Gazës

Sipas AFP-së, arrestimi i shqiptares me nënshtetësi franceze dhe gjashtë pjesëtarëve të tjerë të celulës është kryer një muaj më parë, ndërkohë që një gjë e tillë u zbulua dy ditë më parë. Ajo, së bashku me personat e tjerë të arrestuar, akuzohet si pjesëmarrëse në sulmin me bombë të ndodhur më 22 shkurt në Kajro, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 24 të tjerë si dhe për lidhje me organizatën terroriste “Al Qaeda”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›