E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraguaji 36 kartone te kuq

Plot 36 futbollistë janë pezulluar pas episodeve të dhunshme në një ndeshje të ligës së të rinjve të futbollit në Kakupe të Paraguajit.

Kur kishin mbetur edhe pesë minuta nga mbyllja e sfidës, gjyqtari Nestor Guillen ka dhënë dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër. Por, në vend që ti drejtoheshin dhomave të zhveshjes, lojtarët e ndëshkuar qëndruan në fushë dhe vazhduan sherrin.

Në harkun e pak minutave, situata doli jashtë kontrollit dhe aty u përfshinë futbollistë nga të dyja skuadrat. “Shumë nga lojtarët që ishin në lojë apo që ndodheshin në stolin e rezervave hynë në fushë dhe tentuan të kontrollonin shokët e skuadrës, e madje edhe kundërshtarët”, tah presidenti i klubit Teniente Farina, Hernan Martinez.

Në vend që të provonin të ulnin tensionin ndërmjet lojtarëve, për të evituar sherrin, gjyqtarët vrapuan të frikësuar drejt dhomave të zhveshjes. Për këtë arsye, Martinez beson se ata nuk kishin asnjë mundësi tjetër, por të ndëshkonin me karton të kuq të 36 lojtarët e dy ekipeve.

“Gjyqtarët nuk qëndruan në fushë. Sapo nisi sherri, ata shkuan në dhomat e zhveshjes. Arbitrat nuk panë asgjë nga ajo që ndodhi, megjithatë, për të larë duart dhe për të hequr çdo përgjegjësi nga vetja, në raportin e tyre ata i kanë ndëshkuar me karton të kuq të 36-të lojtarët”, tha më tej drejtuesi i klubit.

Në anën tjetër, presidenti i klubit Libertad, Sixto Nunez nënvijëzoi se “xhaketat e zeza” anashkaluan disa prej detyrave të tyre me braktisjen e fushës. “Gjyqtarët duhet të kujdesën për të rinjtë dhe jo të largoheshin nga fusha, duke bërë që sherri të niste sërish”, tha Nunez.

36 lojtarët e pezulluar pas dhunës masive në fushë, tashmë presin ndëshkimin e Komisionit të Disiplinës së këtij kampionati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›