Pato nuk i mbyll derën kalimit te Çelsi
Braziliani konfirmon lidhjen e shkëlqyer me Ançelotin dhe pohon se e pëlqen Londrën
Aleksandre Pato nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në të ardhmen të transferohet në Premiershipin anglez, duke lënë të nënkuptohet se çelsi, i drejtuar nga ish-trajneri i tij, Karlo Ançeloti, është destinacioni më i mundshëm. Blutë u munduan ta afronin sulmuesin e Milanit në fillim të këtij sezoni, ndërsa sipas lajmeve që vazhdojnë të qarkullojnë në Britaninë e Madhe, 20-vjeçari vazhdon të jetë në listën e dëshirave të Ançelotit dhe Abramoviç. Londinezët duken të gatshëm që të shpenzojnë deri në 55 milionë euro gjatë kësaj vere, për të afruar në skuadër brazilianin. Pasi u pyet nëse e ka menduar ndonjëherë që të luajë në Premiership, Pato deklaroi: “I ndjek rregullisht ndeshjet e futbollit anglez dhe takimet e Ançelotit, pasi trajneri që më afroi te Milani, tashmë punon në Angli te çelsi. Personalisht, Londra më pëlqen”. Lojtari e cilëson ish-trajnerin si një figurë atërore dhe gjatë merkatos së verës, kur e ardhmja e tij ishte e pasigurt, Pato deklaroi se do të vendoste vetëm pasi të ishte konsultuar me Ançelotin.
Përpara fillimit të sezonit, Milani refuzoi mbi 42 milionë euro nga çelsi për sulmuesin, vetëm pak kohë pasi Kaka u transferua te Reali i Madridit. Megjithatë, Ançeloti synon të bëjë të pamundurën që ta afrojë Paton në “Stemford Brixh” dhe beson se ai do të krijojë një dyshe të jashtëzakonshme me Didier Drogbanë. Por, edhe pse ka nuk ia ka mbyllur derën kalimit të mundshëm të londinezët, braziliani këmbëngul se është i përqendruar vetëm te Milani, duke shprehur besim se kuqezinjtë mund të kualifikohen në Champions. Pato është i bindur se skuadra e Leonardos e ka potencialin që të përmbysë humbjen 3-2 në “San Siro” përballë Mançester Junajtid. “Momentalisht jam i përqendruar vetëm te Milani. Pas dy vitesh në Itali ndihem shumë i lumtur dhe jam përshtatur plotësisht me jetën në Milano. Na pret një ndeshje e madhe kundër Mançester Junajtid. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë për ne, e respektoj këtë skuadër, por jam i bindur se nëse luajmë si një skuadër do të jemi në gjendje t’i mposhtim”. Më tej ai lavdëroi edhe dy prej yjeve “veteranë” të Milanit, Ronaldinjon dhe Devid Bekam. “Kur isha i vogël, e kisha ëndërr që të luaja me këta futbollistë, të cilët i ndiqja vetëm nëpërmjet televizorit, shtoi Pato. Duke luajtur përkrah Bekam, jam në gjendje të shfrytëzoj aftësitë e tij: me pasimet e gjata dhe të sakta, arrin të më krijojë gjithmonë korridore”. Sulmuesi është në konkurrencë me Luis Fabianon dhe Ronaldinjon për një vend në repartin ofensiv të “seleçaos” së Dungës, në Kupën e Botës 2010. Ai deklaroi: “Shpresoj që do të luaj. E respektoj trajnerin dhe vendimet e tij, por jam i sigurt se nëse do të më jepet shansi të jem me skuadrën në Afrikën e Jugut, edhe unë do të kontribuoj. Ronaldinjo? është një lojtar i madh, por vendimet i merr vetëm trajneri”.
#