E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmëron largimin

Ardian Gashi mund ta lërë Helsingborgun në fund të sezonit. Mesfushori kosovar ka vendosur të kthehet në Norvegji, për t’iu bashkuar familjes së ngushtë. 30-vjeçarit i vjen keq që do të largohet para kohe nga Suedia, por thotë se nuk e kishte pritur që gjërat të rridhnin në këtë mënyrë. Nga Express më 23 gusht 2011 në ora 12:39

Ardian Gashi e ka paralajmëruar largimin nga Helsingborgs IF, pas përfundimit të sezonit në kampionatin suedez, Allsvenskan.

Mesfushori është arsyetuar se situata familjare e ka shtyrë që ta marrë këtë vendim. 30-vjeçari ka kontratë me fituesin e Kupës së Suedisë edhe një vit tjetër, por duket se ai do të kthehet në Norvegji, me të përfunduar sezoni.

“Kam biseduar me Jeppe Jansson (drejtorin sportiv) në fillim të muajit. Ai e di se si është situata, kështu që duhet të më kuptojë”, tha Gashi për të përditshmen suedez, Sportbladet.

Situata familjare po i shkakton kokëçarje përfaqësuesit kosovar. Bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët u larguan nga Suedia, për t’u kthyer në Fredrikstad, Norvegji.

“Fëmijët po rriten me shpejtësi. Plani nuk ishte që unë të jetoja këtu i vetëm. Por, gruaja ka punë atje, kurse fëmijët shkojnë në shkollë. Është krijuar një situatë e palakmueshme, nuk e prisnim këtë as unë e as Helsingborgu. Më vjen keq për klubin që gjërat arritën në këtë pikë”, shtoi futbollisti gjakovar.

Gashi nuk është përgjigjur rreth mundësive që të luajë për Helsingborgun edhe sezonin e ardhshëm. “Është shumë herët të flas për këtë. Ndihem keq, këtë mund ta them, më shumë jo”, përfundoi ai.

Gashi e ka komentuar edhe incidentin që i ndodhi në fushë të dielën, kur pati një zënkë me lojtarin e Halmstadit, Marcus Olsson. Sipas futbollistit kosovar, ishte vetë lojtari suedez ai që provokoi i pari. Këtë ndeshje, Helsingborgu e fitoi 2:1 dhe është në rrugë të mirë që të shpallet kampion i Suedisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›