E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi, sërish i fortë

Fillimi i furishëm i sezonit e rendit Hysin sërish ndër skuadrat favorite për t’u bërë kampion. Trajneri Fadil Ademi thotë se titulli nuk është prioritet për skuadrën llapjane, por premton se ekipi nga Merdara do ta shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet për titull. Ai ndihet i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion dhe premton lojë kualitative edhe këtë sezon. Nga Moral Pozhegu më 23 gusht 2011 në ora 12:41

Hysi e filloi furishëm edicionin e ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, duke e dërrmuar KEK-un, 4:0. Skuadra nga Merdari e përsëriti formën e sezonit të kaluar, kur u shpall kampion i Kosovës, të cilin epitet e arriti me plot meritë, pas lojës së shkëlqyeshme që tregoi nën drejtimin e trajnerit Fadil Ademi.

Ky i fundit shprehet i kënaqur me mënyrën se si e filloi sezonin e ri ekipi i tij, ndërsa kërkon vazhdimësi të lojës së mirë dhe të rezultateve. “E kemi filluar sezonin mjaft mirë duke i realizuar katër gola dhe duke shfaqur lojë kualitative”, shprehet fillimisht Ademi.

Ai është i vetëdijshëm se për një ekip, më vështirë është që ta mbrojë titullin, sesa ta fitojë atë. Mirëpo, Ademi beson në kualitetin e ekipit llapjan, për të cilin thotë se do ta shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet. Ai e cek edhe këtë sezon se titulli i kampionit megjithatë nuk është prioritet i fituesit të Superkupës së Kosovës.

“Edhe sivjet jemi në mesin e 4-5 skuadrave më të mira, por do të mundohemi ta ngrisim cilësinë në vazhdimësi. Si rrjedhojë e lojërave të mira dhe rezultateve pozitive, sigurisht se do ta kërkojmë edhe titullin. Por, as këtë sezon nuk e kemi objektiv kryesor titullin”, vazhdoi Ademi, i cili ishte më meritori për suksesin e sezonit të kaluar, pas shumë ndryshimeve (të pasuksesshme) të trajnerëve që bëri pronari Hysen Sadiku.

Gjatë verës, Hysit iu larguan disa lojtarë, por prapëseprapë ekipi bardhezi e ka ruajtur themelin dhe mbetet po aq i fortë. “E kemi në dispozicion një grup të mirë lojtarësh dhe do të mundohemi të përfitojmë prapë, nëse na jepet mundësia. Kryesisht e kemi ekipin e njëjtë dhe është loja kolektiva ajo që e bën diferencën në skuadrën tonë”, përfundoi Ademi.

Përpos Hysit, skuadrat tjera që shihen si favorite për titull të kampionit, Vëllaznimi dhe Prishtina, ndanë pikët në Gjakovë, pas një loje të shkëlqyeshme. Në bazë të lojës së shfaqur, barazimi ishte epilog real.

Fituesi i Kupës së Kosovës, Besa, kishte pritur më shumë në xhiron e parë, por u mposht në Mitrovicë nga Trepça. E rikthyera në Superligë, Drita, e filloi mjaft mirë sezonin duke fituar ndaj Lirisë së dobësuar, kurse derbi i skuadrave të reja të elitës së futbollit kosovar i takoi Lepencit, që e mposhti Gjilanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›