Përfundon kampi, pritet seleksionimi
Ka përfunduar me sukses të hënën kampi treditor i organizuar nga ‘Sport Development Coaching’, në bashkëpunim me ‘Arsenal Soccer School’. Në këtë kamp morën pjesë rreth 1800 talentë kosovarë, të cilët u testuan nga ana e katër trajnerëve të ardhur nga Londra, të prirë nga Tony Gervaise, por edhe nga disa trajnerë kosovarë.
Organizatorët janë të kënaqur me numrin e të interesuarve për t’u bërë pjesë e shkollës së futbollit të Arsenalit ‘Arsenal Soccer School’ (ASS), por jo edhe me kualitetin dhe disiplinën e tyre.
“Është një numër shumë i madh, jemi mjaft të kënaqur. Mirëpo, nuk jemi të kënaqur me kualitetin, kemi pritur më shumë. Pastaj, fëmijët janë treguar të padisiplinuar, duhet punë shumë me ta, duhet t’i gdhendim. Duhet të mundohemi t’ua heqim energjinë negative dhe t’ua sjellim energjinë pozitive. Djelmoshat janë treguar vetjakë, e në futboll nevojitet më shumë bashkëpunim. 70 për qind e tyre ishin të tillë”, tha për Express përfaqësuesi i kësaj shkolle, Bardhyl Sogojeva.
Nga 1800 fëmijë, rreth 500 prej tyre ta do ta kenë mundësinë të bëhen pjesë e kësaj shkolle. Me ta do të punohet intensivisht, në mënyrë që të nxirret në fund qoftë edhe një talent, i cili do të mund të bëhej pa problem pjesë e Akademisë së Arsenalit në Londër.
“Shumë shpejt do ta bëjmë seleksionimin. Do të punojmë me ta një vit. Kjo është periudhë e mjaftueshme për ata që synojnë të zhvillohen dhe ta tregojnë veten”, vazhdoi Sogojeva.
Kampi u mbajt në kompleksin sportiv ‘Prince’ në kryeqytet. Shkolla e futbollit të Arsenalit ‘Arsenal Soccer School’, punën në Prishtinë pritet ta nisë në muajin shtator.