E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paranoja e komploteve diktatoriale

04-06-2012 / Nga Lavdrim Lita

Sipas një opinioni të përhapur gjerësisht, realiteti nuk është ashtu siç duket sepse protagonistët e vërtetë nuk japin intervista, nuk dalin në televizion, por qëndrojnë gjithmonë në hije. Dhe ajo që ne besojmë se njohim, në të vërtetë, është vetëm ajo që “ata” na japin për të njohur. “Ata”, sipas kësaj xanxe komploti janë “ndërkombëtarë” në bashkëpunim me vendas. Prandaj dhe dëgjuam: “Siria duhet të përballet me një komplot ndërkombëtar”, u shpreh dje, Bashar al Assad, një nga diktatorët më gjakatarë arabë. Ky justifikim banal i diktatorit sirian vjen pas presioneve të jashtëzakonshme ndërkombëtare rrjedhojë e zbulimit të masakrës së fëmijëve në Hula.
Mirëpo “armiku i jashtëm” është një justifikim “normal” i regjimeve totalitare. Më parë këtë frazë e kemi dëgjuar në Libi nga goja e kolonel Gedafit, e kemi dëgjuar në Egjipt nga ish-presidenti Hosni Mubarak, e kemi dëgjuar në Tunizi nga goja e Ben Alisë. Të tre këto diktatorë u rrëzuan prej furisë së “Pranverës arabe”, një lëvizje popullore që kërkon më shumë të drejta dhe liri. Prandaj për të mbajtur pushtetin e për të justifikuar shtypjen, diktatorët shpallin një “Armik”, i cili duhet luftuar me çdo kusht, nëse do të ketë viktima, ato do të jenë efekte anësore të një beteje madhore.
Ne, shqiptarët kemi eksperiencë për këto shprehje paranojake si, “komplote imperialiste”, që kërkonin rrëzimin e parajsës socialiste të Enver Hoxhës. Ndoshta tingëllon ironike, po sa më shumë që Shqipëria izolohej aq më fort ndikoheshin politikat e brendshme të Enver Hoxhës nga rreziku i shteteve të huaja. Sipas paranojës së Hoxhës kishte veprimtari të bashkërenduar agresive e monarko-fashistëve grekë, neofashistëve italianë, revizionistëve jugosllavë e sovjetikë, të përkrahur nga imperializmi amerikan dhe ai britanik.  Të gjithë kundër Shqipërisë socialiste.  Për të parandaluar invazionin e madh u ndërtuan më shumë se 750 mijë bunkerë me një investim për kohën që shkonte rreth 225 miliardë lekë. Ndërsa shqiptarëve të uritur iu mbushej koka me komplote që rrezikonin parajsën e tyre. Ajo që quhej parajsë ishte në të vërtetë një ferr i krijuar nga ideologjia totalistariste. Ferri tokësor i prodhuar nga paranoja e komplotit Hoxhist dërgoi mijëra vetë në burg e internime apo qindra të vrarë e të zhdukur. Akuzat ishin të gjitha sipas logjikës së paranojës “sabotim”, “poli-agjentë”, “komplot”, “agjitacion e propagandë”, të gjitha nene penale, kundër pushtetit popullor. Sidozot pas zbulimit të komplotit e ekzekutimit të tyre fillonte faza e spastrimit të vatrës, pra, dëbime e internime të atyre që ishin të afërm. 
Ajo që bie në sy tek sindroma e komplotit është saltoja e imagjinatës: nisja nga fakte pjesërisht të vërteta, çka ndez idenë e një “komploti të madh” që lëviz ngjarjet e historisë. Kujtojmë këto faktin që ideja e shfarosjes së hebrenjve erdhi e poq si justifikim në doktrinën naziste si një “shpagim” kundër komplotit të tregtarëve të mëdhenj hebrenj ndaj Gjermanisë. E njëjta teori u përdor nga një Stalin i obsesionuar nga komplotet për të justifikuar asgjësimin e hebrenjve nga Rusia.
sidoqoftë paradigma e komplotit mbetet  në thelb e pandryshuar: një organizatë e fuqishme e fshehtë, përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin, rëndësia e madhe që i jepet mjeteve të komunikimit dhe sistemit financiar ndërkombëtar, prezenca e ritualeve dhe praktikave kriminale, etj. Por duhet të kuptojnë teoritë e komplotit lindin nga një nevojë për të dhënë shpjegime të thjeshta për probleme komplekse, jo personale dhe të zbehta të një bote të globalizuar në të cilën jetojmë. Diktatorët përdorin  dy mënyra për të mbajtur regjimin, së pari përdorin frikën dhe së dyti të tregojnë se kush e ka fajin. Kur shoqëritë nuk funksionojnë dhe vuajnë – diktatorët – gjejnë dikë për të sakrifikuar në mënyrë që të “kënaqin”  të zhgënjyerit. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›