Pas Nato-s, armiku tjetër i të majtës është Bashkimi Europian
Jo shumë larg në kohë, të majtët, nostalgjikë të bllokut komunist propagandonin me të madhe për vlerat e Bashkimit Europian. Në mendjet e tyre kishin ende Bashkimin e madh Sovietik dhe shtetet satelite të saj dhe kërkonin me ngulm të rindërtonin përsëri një supershtet të tillë. Nga ana tjetër e djathta europiane kërkonte që Europa të funksiononte si një bashkim shtetesh por në mënyrë që asnjë prej vendeve të mos humbte identitetin e tij. Tashmë duket se kohët kanë ndryshuar dhe janë të majtët ata që nuk e duan më Bashkimin Europian dhe sidomos bashkimin monetar. Nisur nga mosbesimi që po përhapin të majtët, qytetarët e vendit fqinj të Greqisë, po tërheqin gjithcka kanë nëpër bankat e tyre, importet tashmë nuk janë më të garantuara, qytetarët nuk paguajnë më faturat e energjisë elektrike dhe ndërkaq flitet se në një mënyrë tepër sekrete po fillojnë të shtypen edhe monedhat e vjetra. Jemi afër braktisjes së monedhës të përbashkët? Sipas gjermanes Bild, një tabloid që arrin të shitet deri në pesë milionë kopje, për Athinën ka ardhur koha që të braktisë monedhën e përbashkët euro. Në editorialin e tij, Nokolaus Blome, nënvizon se: “Greqia po rrënohet dhe shteti grek duhet të rindërtohet, pikërisht si një vend në rrugën e zhvillimit. Ndonjë prej liderëve të eurozonës duhet që t’i thotë grekëve të vërtetën, ky fillim i ri mund të arrihet vetëm me një hap radikal dhe kjo do të thotë të braktiset euro”. Sidoqoftë shumë gjëra janë të lidhura me zgjedhjet e 17 qershorit. Sipas sondazheve dy mund të jenë partitë që mund të fitojnë, Demokracia e Re dhe Koalicioni i të Majtës që është partia antieuropiane dhe lideri i saj ka theksuar se nëse vjen në pushtet do të anullojë memorandumin e firmosur me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi ndihmat dhe paketën e kursimeve. Ndërkaq janë bërë edhe analizat se sa do të kushtonte për Greqinë braktisja e euros. Banka kombëtare greke ndërkaq duket se ka bërë llogaritë dhe sipas saj rroga mesatare në vendin fqinj do të ulej me 55%, ose më saktë nga 19.400 euro do të zbriste në 8.700 euro në vit, që do të thotë më pak sesa në vendet më të varfra të Europës Lindore. Depozitat do të uleshin me 50% të tyre dhe po aq edhe vlera e shtëpive. Gdp do të ulej me ¼ ndërsa papunësia do të arrinte në 34%, me një inflacion në ngritje 32% për të përfunduar me dhrahminë e re që do të zhvlerësohej përtej 65%. Shifra që nuk po shqetësojnë vetëm Greqinë por edhe vendet e tjera të Eurozonës. Sidoqoftë gjithçka varet nga zgjedhjet e 17 qershorit të cilat do të jenë tashmë si një referendum i vërtetë për euron dhe fatet e saj. Ndërkaq një zë optimist për vendin fqinj vjen nga Credit Suisse: “Ka shumë mundësi që Greqia mos të braktisë euron”- kanë nënvizuar ekonomistët zviceranë duke shtuar më tej se për t’u rikthyer tek dhrahmia do të ketë kosto të jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Greqinë. “Greqia dhe BE kanë një interes të madh që Athina të qëndrojë në euro». Egzistojnë madje edhe katër teza optimiste për këtë. Grekët ose shumica e tyre kërkojnë të qëndrojnë në euro, kostoja për të dalë nga monedha e përbashkët është e lartë për Greqinë dhe një kosto të lartë do të kishte edhe për vendet e tjera europiane që ndoshta mund të sillte në shpërbërjen e eurozonës. E katërta ka të bëjë me faktin se euro është një projekt politik. Kostot në këtë mënyrë do të ishin shumë të mëdha për Greqinë por edhe për 16 vendet e tjera të eurozonës. Nuk duhet harruar se titujt grekë në Bankën qëndrore europiane arrijnë në 50 miliardë dhe duke konsideruar edhe ndihmat do të arrinte në 282 miliardë euro, ndërsa ekspozimi i bankave të zonës arrin në 65 miliardë, madje në 86 miliardë duke llogaritur edhe ekspozimin e firmave të tjera në zonë. Ekspozimi i bankave përkundrejt Greqisë arrinte në vitin 2011, në 123,4 miliardë, ku 37 miliardë ishin për bankat franceze, 12,3 miliardë për bankat gjermane, 16 miliardë për ato britanike dhe më pak nga të gjitha bankat italiane me 2,9 miliardë. Nisur nga këto shifra braktisja e monedhës të përbashkët euro do të kishte me të vërtetë një kosto të jashtëzakonshme që do të përhapej në të gjithë eurozonën. Nga ana tjetër në raportin e saj Credit Suisse kujton se ekspozimi gjerman përkundrejt sistemit bankar në vendet e ashtuquajtura periferike arrin në 400 miliardë euro, ndërsa ajo e bankave franceze i kalon 500 miliardë euro. Askush nuk do të dëshironte të vinte flakën. Gjithçka do të vendoset nga vota e qytetarëve grekë. Ndërkaq sondazhet nxjerrin fitues partinë e të majtës radikale me afro 31%, , por fill pas saj renditet Demokracia e Re e Antonis Samaras me 26%, ndërsa si forcë e tretë Pasok-u i Venizellos me 13,5%, të ndjekur nga e Majta Demokratike me 7.5%, ndërsa neonazistët do të zbrisnin në 4,5%.