E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraplegjikët, sot dita e dytë e grevës së urisë

Greva e paraplegjikëve pranë ambjenteve të shoqatës së tyre hyn sot në ditën e dytë të saj. Mësohet se deri ditën e sotme nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria por sot ata do të vizitohen nga disa deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Invalidët e kësaj kategorie kanë kërkuar për disa muaj rresht prej qeverisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, realizimin e katër kërkesave të tyre jetike, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e pagesës për paketën higjieno-sanitare, rritja e sasisë së karburantit që ata duhet të përfitojnë si dhe siguracione dhe pagë më të lartë për kujdestarët, personat që kujdesen për ta. Greva e urisë vjen pas disa protestave që kjo kategori invalidësh ka zhvilluar disa herë por përveç premtimeve nuk kanë parë asnjë zgjidhje për kërkesat e tyre. Në vendin tonë numërohen 4500 paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët kërkojnë mbështetje nga institucionet e vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›