Kredia; Forcimi i euros shtyn kredimarrësit drejt lekut
Qytetarët shqiptarë kanë rritur preferencës për kredinë në lekë për vitin 2009, në krahasim me vitin 2008. Për dymujorin e parë të vitit, është rritur niveli i kredisë në lekë, duke shkuar në 29 për qind, me një rritje prej 2 për qind. Qytetarët kanë preferuar kredinë në lekë, pasi kanë provuar se kredia në valutë të huaj, sidomos ajo në euro ka një kosto më të lartë mujore për ta, duke qenë se pagat e tyre janë në monedhën vendase. Ekspertët vlerësojnë rritjen e kredisë në lekë, pasi sipas tyre, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.
Kredia në lekë ka nisur të preferohet më shumë gjatë vitit 2009 nga qytetarët shqiptarë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një tendencë rritjeje për kredinë në lekë gjatë fillimit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, kredia në lekë në lekë në muajin shkurt të këtij viti u rrit me 2 pikë përqindjeje. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj, njofton se në fund të muajit shkurt 2009, kredia në lekë zuri 29 për qind të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Kjo zhvendosje vlerësohet nga ekspertët si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, bën të ditur BSH-ja, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend. Por ndonëse tendenca për të marrë kredi në lekë ka një rritje të lehtë në muajt e parë të vitit, përsëri pjesa e luanit është kredia në valutë. Shumica e shqiptarëve kanë zgjedhur të marrin kredi në valutë dhe sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 70 për qind e kredisë në valutë është dhënë në euro. Por nga ana tjetër, të gjithë pagesën mujore e marrin në lekë dhe konvertimi i euros për të paguar këstin mujor do të thotë të shpenzosh disa mijë lekë më shumë. Në fakt duke u nisur nga efektet e krizës globale, Banka e Shqipërisë, në janar të këtij viti, kur ekonomia po kërcënohej nga kriza e përbotshme e likuiditeteve, vendosi të ulë normën-bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje, nga 6.25 në 5.75 për qind. Kjo masë u bë me qëllim për të furnizuar tregun me valutë dhe për të ulur koston e kredive për qytetarët dhe biznesin. Por të dhënat zyrtare tregojnë se tregu i huamarrjes nuk e ka reflektuar këtë efekt, pasi interesat e bonove, jo vetëm që nuk janë ulur, por përkundrazi, kanë vazhduar të rriten me ritme jo të vogla. Ekspertët nga ana e tyre shprehen se kriza e likuiditeteve ka zhvlerësuar masën lehtësuese të bankës, ndaj edhe kërkesa e lartë e ekonomisë për para i ka mbajtur normat e interesit në rritje. Sipas të dhënave zyrtare, në total kreditë e këqija në bankat private janë rritur me 7 për qind deri tani. Sipas të dhënave të BSH-së, totali i kredive të këqija u rrit me 42 milionë euro gjatë dhjetorit 2008, ndërsa totali i kredive të këqija arriti në atë kohë në 196 milionë euro, ose 6.6 për qind të portofolit