E Diel, 1 Nëntor 2026

Pinari vazhdon të “drejtojë” MEICO-n nga qelia e burgut



Habjon Hasani

Tiranë - Ndonëse i burgosur dhe i proceduar për përfshirje në trafikimin e armëve, Ylli Pinari, publikisht dhe juridikisht rezulton përfaqësues juridik i ndërmarrjes “MEICO”. E thënë ndryshe, në kushtet aktuale, Pinari ka të drejtë të nënshkruajë dhe kontrata për llogari të ndërmarrjes “MEICO”, si përfaqësues ligjor, madje mund edhe të autorizojë ndonjë avokat për ta bërë këtë, nëse nuk ndihet komod të firmosë në burg. Natyrisht që vetëm juridikisht ka të drejtë ta bëjë këtë veprim, pasi drejtuesit e MEICO-s duket se ende nuk e kanë zëvendësuar zyrtarisht emrin e tij si përfaqësues juridik. Pasi u njoh me këtë fakt, “Albania” shkoi pranë zyrave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve dhe pyeti një prej juristëve të këtij institucioni lidhur me faktin se ende Pinari rezultonte përfaqësues ligjor i kësaj kompanie. Juristi shpjegoi se për sa kohë që nuk vjen kërkesa për korrigjim dhe zëvendësim nga persona të autorizuar, emri nuk mund të ndryshojë. “QKR-ja përditëson të dhënat në bazë të kërkesave të ardhura për korrigjime në sistemin bazë të dokumentacionit të kompanive. Në fakt janë rreth 40 mijë dosje në përpunim, që po hidhen në sistem elektronik dhe po plotësohen me informacionin e nevojshëm, kështu që ky ndryshim mund të jetë në proces. Megjithatë, unë mendoj se në rastin e një kompanie si “MEICO”, ndryshime të tilla bëhen jashtë rendit normal të procedurës për shkak të rëndësisë strategjike që ka kjo kompani”, - i tha dje juristi “Albania”-s.
Vonesa
Pasi mori përgjigje nga QKR-ja, “Albania” kontaktoi me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa vetë drejtuesi i ri i “MEICO”-s, Granit Leka, ka sqaruar se emri duhet zëvendësuar, por, sipas tij, bëhet fjalë për një vonesë procedurale. “Interesimi i gazetës na bën që ta kryejmë menjëherë këtë ndryshim. Duhet të keni parasysh se pak kohë më parë kam kontaktuar personat përkatës për këtë çështje, por më siguruan se për sa kohë që kompania është krijuar me një vendim qeverie, zëvendësimi mund të bëhej në një kohë të dytë dhe pa shumë ngut. Megjithatë, unë do të marr masa të menjëhershme dhe pyetjet dhe interesimi juaj është i drejtë”, - i tha Leka “Albania”-s. Duket se vonesa ka konsistuar në një element të rëndësishëm për një kompani, sikurse është statusi i “përfaqësuesit ligjor”. Në bazë të së drejtës tregtare, ky status i jep të drejtën personit që e gëzon që të kryejë “veprime dhe procedura për llogari të firmës, brenda kuadrit ligjor, në bazë të të cilit firma operon”. Megjithatë, problemi shfaqet vetëm në letra. Vetë “MEICO” është përfshirë në një fazë ristrukturimi dhe riorganizimi pas skandalit që përfshiu Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa fluksi i punës pas “furtunës” duket se i ka bërë drejtuesit që të mos vënë re se kompania ende vazhdonte të përfaqësohej ligjërisht nga ish-drejtuesi Pinari.
Kompania
“MEICO” (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore, në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Kjo ndërmarrje është krijuar, në vitin 1991, me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 366, datë 05.10.1991 “Për krijimin e Ndërmarrjes së Import-Eksportit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes” dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj, për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera, me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksportet e mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake. Kjo kompani u regjistrua në gjykatë më 2 maj të vitit 1992. Pinari ka qenë drejtor i parë i kësaj kompanie deri në vitin 1994. Më pas ai u zëvendësua nga Sali Kuçi dhe Andrea Opari. Në fillim të vitit 2007, Pinari u rikthye në krye të “MEICO”-s për të qëndruar deri vetëm dy ditë pas shpërthimit të 15 marsit në Gërdec.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›