E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e zyrtarëve, ILDKP, hetim për huat dhe dhuratat

Kreu i këtij inspektorati Adriatik Llalla tha se janë evidentuar një numër i lartë zyrtarësh apo personash të tretë për të cilët kanë nisur hetimet ndërsa në mjaft raste kemi shpenzime të cilat tejkalojnë edhe pagat vjetore të zyrtarëve ku ligji i ri parashikon deklarimin e tyre kur kalohet shuma e 500 mijë lekëve.

"Konstatoj se mjaft zyrtare shpenzojnë për nevoja të ndryshme të tyre. Shuma që kalonin dhe të ardhurat e tyre vjetore. Tashmë këta shtetas, këta zyrtar do të kenë detyrimin ligjor për të deklaruar të gjitha shpenzimet e kësaj natyre. Por jo vetëm zyrtarët, por dhe shtetasit të cilët dyshohen se do të kenë lidhje pasurore me zyrtarët. Ne kemi filluar proceset e hetimit administrativ ndaj një kategorie shtetasish të cilët provohet se kanë lidhje interesash pasurore me zyrtarë. Kemi në proces hetimi mjaft raste të kësaj natyre, të cilat besoj se do të bëhen publik në periudhat në vijim", thakreu i ILDKP.

E në një kohë që pritet dhe një shtim i numrit të kallëzimeve pranë prokurorisë, ku krahas gjobave ligji parashikon dhe burg deri në tre vite, Llalla thotë se me organin e akuzës vijon i njëjti problem. Vetëm pak kohë më parë në raportin e ILDKP-së dërguar në parlament, inspektoriati shprehu shqetësimin e pushimit të dosjeve nga Prokuroria.

"Marrëdhëniet me institucionin e Prokurorisë për të cilat ne herë pas here kemi ngritur shqetësimin tonë vijon të jetë i njëjti problem që besojmë se do të gjejnë zgjidhjen e duhur në periudhën në vijim", tha Llalla për “AS”.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të ketë kompetenca të reja dhe do të ketë mundësi të anulojë vendimin në rast se konstatohet konflikt interesi. Ndaj deputetëve mund të merret masa disiplinore, ndërsa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në konflikt interesi, ILDKP-ja kërkon nga Gjykata që t'i detyrojë këta të fundit të dëmshpërblejnë për dëmin e shkaktuar ndaj institucionit. /Start/

                                                                                             2012-10-01 09:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›