E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parcela me kanabis pranë varrezave, policia e Gjirokastrës nis hetimet

Autori i Lajmit: red.
Policia vazhdon aksionet për çrrënjosjen e drogave bimore nga tokat e fshatrave nga jugu në veri të vendit, një aksion i cili i kushton asaj shumë energji, forca e kohë. Këtë herë, bëhet fjalë për dy parcela me lëndë narkotike të llojit “kanabis sativa” e cila pasi është sinjalizuar e evidentuar, është shkatërruar nga forcat e Rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Operacioni është ndërmarrë pas një informacioni të grumbulluar në rrugë operative. Policia ka kryer kontroll në fshatin Gjatë të komunës Lunxheri në rrethin e Gjirokastrës, si rezultat i të cilit kanë evidentuar dy parcela të mbjella disa metra poshtë varrezave të këtij fshati. Bimët varionin nga 160 në 270 cm të larta. Burimet nga policia pohuan se ato janë asgjësuar në vend me anë të djegies, ndërsa disa prej tyre janë marrë në cilësinë e provës materiale. Forcat e rendit po punojnë për të identifikuar pronarin e dy parcelave me bimë narkotike.
Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›