Urdhri i QSU: Mjekët, punë në spital edhe të shtunën
zirina llambro
Në punë edhe ditën e shtunë. Nuk do të ketë përjashtime.I gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Nënë Tereza” do të duhet të zbatojë rigorozisht oraret e reja. Ndërsa gjatë ditëve zyrtare të punës, mjekët do të duhet të rrinë në punë nga ora 8-15:30,ditën e shtunë ata duhet të paraqiten nga ora 9-11:30. Drejtori i QSU, Ilir Dashi firmosi dje urdhrin që do të vihet në zbatim nga java që vjen. Sipas tij, kjo masë merret në mënyrë që bluzat e bardha të jenë sa më afër nevojave të pacientëve. Po kështu, ndryshimet e bëra do të sjellin fokusimin më të mirë të punës në shërbime dhe zbatimin e rregulloreve të vendosura deri më tani. “Duke filluar nga kjo e hënë dhe deri ditën e shtunë, i gjithë personeli shëndetësor është i detyruar të qëndrojë në pavijone dhe shërbime nga ora 08:00 deri në 15:30. Por kjo nuk të thotë që puna e tyre përfundon këtu, edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës, si nga shefi i pavijonit, ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës”, tha Dashi. Ai shtoi se çdo ditë stafi i shërbimit duhet të organizojë mbledhjen e mëngjesit në orën 8, nën drejtimin e Shefit të Shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon. “Për pavijonet të cilat kanë salla të kirurgjisë, gjatë këtyre mbledhjeve do të bëhet edhe shpërndarja e operacioneve, sipas urdhrit të dalë vetëm një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Dashi. Për të gjithë shkelësit e këtij rregulli, Drejtoria e QSUT-së ka parashikuar masa ndëshkuese deri në largime nga puna, gjoba apo vërejtje. Drejtoria do të organizojë kontrolle për zbatimin në vazhdimësi të këtij urdhri. Prej disa muajsh, si Ministria e Shëndetësisë, ashtu edhe drejtoria e spitalit më të madh në vend, kanë nxjerrë një sërë urdhrash për mirëfunksionimin e shërbimit shëndetësor. Me anë të tyre synohet të vendoset disiplinë nëpër pavijone, por edhe në raportet mjek-pacient, apo mes familjarëve. Vetëm dy ditë më parë, ministri Vasili firmosi urdhrin për ndërhyrjet kirurgjikale. Nga sa përcakton ai, lista me pacientët që kanë të planifikuar një operacion duhet të afishohet në klinikat kirurgjikale. Po kështu në të përcaktohet edhe një shpërndarje e drejtë e ndërhyrjeve kirurgjikale mes bluzave të bardha.
Urdhri i ri
Orari zyrtar i punës nga dita e hënë deri ditën e premte është nga ora 8:00 -15 :30.
çdo ditë stafi i shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8, nën drejtimin e Shefit të Shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon.
Në zbatim të Urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë, nr. 86, datë 16. 02. 2010, pjesë e orarit të punës është edhe dita e shtunë, nga ora 09:00 -11:30, kohë gjatë së cilës duhet të zhvillohet mbledhja javore e stafit të shërbimit, sipas detyrave të urdhrit të ministrit (bashkangjitur).
Drejtoria do të organizojë kontrolle për zbatimin në vazhdimësi të këtij urdhri.
Per moszbatim të tij do të merren masa konform Statutit të QSUT-së dhe Kodit të Punës.
Vasili: Infermierët, kualifikim me kohë të pjesshme
Edukim në vazhdim për të gjithë infermierët, mamitë dhe fizioterapistët, që shërbejnë në sistemin shëndetësor publik Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka firmosur urdhrin për shkollimin e infermierëve me arsim të mesëm që duhet të inkuadrohen në profil profesional më të lartë. “Urdhri për infermierët është në të njëjtën frymë me urdhrat e dhënë për mjekët, pavarësisht nga eksperienca e gjithsecilit. Në kursin e akreditimit dhe edukimit në vazhdim dhe marrjes së krediteve, janë përfshirë mjekë me eksperiencë nga më të gjatat. Pra, i gjithë sistemi është përfshirë në këtë proces dhe kështu është vepruar edhe për infermierët”, u shpreh dje ministri Vasili. Për infermierët janë ofruar mundësi për një kualifikim që të kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme, sipas opsioneve që do të zgjedhin vetë në një nga shkollat publike, apo private.