E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku energjetik, banorët bëjnë bllokadë

10/04/2009  Nis puna për hapjen e rrugës, por punimet u bllokuan nga 20 pronarët të tokës

Ata kërkojnë të kompensohen më parë, pasi kanë dokumentet e pronësisë

DURRES- Banorë të zonës në Porto Romano janë ndeshur dje me punonjës të makinerive të dy firmave që kanë nisur të hapin rrugën në periferi të qytetit. Shkak për këtë incident është bërë këmbëngulja e banorëve, të cilët theksojnë se punimet kanë nisur në tokën pronë të tyre pa bërë asnjë lloj marrëveshje paraprake. Dje kanë dalë në këtë protestë që ka zgjatur për dy-tri orë më shumë se 20 pronarë të tokës, ndërsa është folur se në ditët e ardhshme do të ketë përshkallëzim të saj. Ndonëse drejtues të firmës dhe sipërmarrës të punimeve në rrugën që nis nga superstrada Tiranë-Durrës drejt Porto Romanos kanë bërë përpjekje të bindin qytetarët të mos bllokojnë mjetet e tyre, protestuesit nuk janë tërhequr. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia e rendit, por efektivat blu nuk kanë ndërhyrë pasi mes palëve në konflikt nuk ka pasur konfrontime fizike.

Konflikti

Rruga për të cilën duket se do të ketë shumë probleme me pronarët e tokës është arteria kryesore për parkun e madh industrial dhe për parkun energjetik. Përgjithësisht këta banorë që kanë zënë rrugën për të mos lejuar punimet deri sa të kompensohen për tokën, e kanë blerë këtë pronë disa vite më parë nga përfitues të ligjshëm. Në Spitallë ka qenë vite më parë një fermë e madhe dhe toka u është ndarë ish-punonjësve të NB-së sipas ligjit 7501,të cilët më pas ua kanë shitur me çmim të kripur banorëve të rinj. Shtetasi Kastiot Dermishi ka thënë se ka blerë 3 mijë m2 tokë dhe se për të bërë pronë të tij ka shpenzuar të gjitha fitimet e familjes në emigracion në 10 vjet. Edhe të tjerë pronarë kanë thënë të njëjtën gjë, ndërkohë që ata kanë lëshuar në dorë të medias një mori me letra që vërtetojnë pronësinë për tokën si dhe certifikatën e lëshuar nga hipoteka, madje me firmën e regjistruesit të atëhershëm Vangjush Dako që sot drejton Bashkinë e Durrësit. Aktualisht punimet po kryhen në pjesën nga autostrada deri në vendin ku kryqëzohet me aksin rrugor Spitallë-Shënvlash. Në këto dy akse janë duke punuar dy firmat “Siak” dhe “Gener 2”, ndërkohë që shumë shpejt pritet zhvillimi i tenderit për dy lotet e tjera në mënyrë që rruga të përfundojë në fillim të vitit 2010. Prefektura e Durrësit ka ngritur komisionin për të verifikuar ankesat që vijnë nga qytetarë lidhur me pronësinë e tokës, mbivendosjet dhe zbatimin e ligjit 7501. Institucioni i prefekturës ende nuk është shprehur për rastin konkret, ndërsa është thënë se bllokimi i punimeve të firmës ka detyruar policinë të regjistrojë incidentin dhe të hapë dosje hetimi.

RRUGA

Për t’i paraprirë fillimit të investimeve në parkun e madh energjetik dhe atë industrial në Spitallë e Porto Romano është menduar që të investohet në rrugën që lidh segmentin kryesor Tiranë-Durrës me zonën në fjalë. Kjo rrugë është pjesë e masterplanit dhe gjatësia në 8 km do të realizohen në një kohë 1-vjeçare. Segmenti i nisur është vetëm një pjesë e gjatësisë, e cila do të pasohet nga dy lote të tjera dhe që do të përshkojë parkun në 780 ha sipas projektit. Por zonës së madhe industriale do i shërbejë edhe linja hekurudhore që do të lidhet me rrjetin kombëtar si dhe një rrjet i brendshëm hekurudhor. Nga buxheti i shtetit është ofruar një fond prej 1.2 miliardë lekësh për të ndërtuar rrugën nga superstrada deri në Porto Romano, ndërsa financimi i parë tashmë është bërë efektiv. Në ndryshim nga rrugët e tjera, segmenti në fjalë do të jetë 26 metër i gjerë me perspektive për të përballur çdo nevojë në të ardhmen pa pasur nevojë të shpronësimeve të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›