E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja sjell kompanitë dhe transaksionet e Fazlliçit

10/04/2009  Mbërrin e para letërporosi, priten 4 të tjera. Hetimet shtyhen edhe për një muaj

TIRANE- Hetimet që ka filluar Task-Forca e Tiranës në ngarkim të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç, duket se tashmë do të marrin një dimension tjetër pasi për llogari të organit të akuzës ka mbërritur letërporosia e parë që tregon të dhëna konkrete mbi aktivitetin e biznesmenit serbo-boshnjak. Materialet voluminoze që i referohen kërkesave të letërporosisë së Prokurorisë së Tiranës mësohet se kanë ardhur para pak ditësh nga Bosnjë-Hercegovina. Lajmi konfirmohet nga burime pranë organit të akuzës kryeqytetase, të cilat theksojnë se gjithë të dhënat e përgjigjes janë sistemuar në Ministrinë e Drejtësisë pranë zyrës së marrëdhënieve me jashtë. Të dhënat e përgjigjes së letërporosisë pritet të përkthehen nga specialistët e kësaj zyre dhe më pas ato do verifikohen nga specialistët e njësisë hetimore Task-Forcë. Burimet thanë se boshnjakët kanë renditur një sërë firmash të biznesmenit Fazlliç dhe disa transaksione që ai ka kryer nga Shqipëria në drejtim të Bosnjës dhe anasjelltas. Aktualisht dy prokurorët e njësisë hetimore Task-Forcë janë në pritje edhe të 4 letërporosive të tjera. Mësohet se ato pritet të vijnë nga shteti i Qipros, Zvicrës, Kroacisë dhe Anglisë. Por duke qenë se këto shtete ruajnë shumë të dhënat personale të biznesmenëve dhe personave të ndryshëm që merren me biznes, ka shumë mundësi që letërporositë to mos mbërrijnë fare.

Shtyhet hetimi

Duke qenë se organit të akuzës ende nuk i kanë mbërritur të gjitha përgjigjet e letërporosive të dërguara në disa shtete ku Damir Fazlliç disponon biznese, në datën 6 prill prokurorët kanë firmosur zgjatjen e afateve hetimore me 1 muaj. “Aktualisht jemi në pritje të tre letërporosive, pasi ajo nga Bosnja na është konfirmuar se ka ardhur në Ministrinë e Drejtësisë. Me shpresën se gjatë këtij muaji mund të vijnë edhe tre letërporositë e tjera, së bashku me drejtuesit e Prokurorisë vendosëm shtyrjen e afateve për procedimin penal në ngarkim të biznesmenit Damir Fazlliç”,- pohojnë burimet për gazetën “Metropol”. Ndërkohë prova më e fortë që Prokuroria dyshon se Damir Fazlliç ka pastruar para në Shqipëri, është shitja e kompanisë “Crown Acquisitions sh.p.k”, shoqërisë “Altaria research limited”, në Qipro me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh. Nga verifikimet rezultoi se të dyja firmat janë në pronësi të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›