E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlament, debat për dosjet, PD akuza Ramës

Në seancën plenare të radhës deputeti demokrat, Bumci anashkaloi kritikat e BE të bëra për ligjin dhe akuzoi drejtpërsëdrejti Ramen se është bërë pengesë serioze për ligjin e dosjeve. PS akuzoi qeverine se po saboton aspiraten e shqiptareve per ne BE 

TIRANE-Ligji i dosjeve ka risjellë debate sot në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën plenare të radhës deputeti demokrat, Aldo Bumci anashkaloi kritikat e BE të bëra për ligjin dhe akuzoi drejtpërsëdrejti kryesocialistin Edi Rama se është bërë pengesë serioze për ligjin e dosjeve duke u deklaruar kundër tij. “Kemi para një ligj që ndan Shqipërinë nga e kaluara. Ky ligj parashikon që të ndëshkohen ata që ngritën një sistem c’njerëzor, të cilët aktualisht janë sërisht në administratë dhe shërbejnë aty. Edi Rama nuk e arrin dot këtë standard, pasi është një njeri fasadë. Edi Rama shfaqet si një modelist i politikës së re, por në vullnetin që flitet për të kaluar akte njerëzore, ai zhvishet para faktit”, u shpreh Bumci.
Deklarata e tij u bë në shenjë reagimi të deklaratës të pak minutave më parë nga podiumi i parlamentit të deputetit socialist Taulant Balla. Në emër të PS, Balla kërkoi që “qeveria të tërhiqet nga ligji i dosjeve pasi këtë mesazh ia dërgoi edhe BE”. “Duhet të tërhiqeni nga ky sulm antikushtetues. Po sabotoni aspiratat e shqiptarëve për në BE. Deklarata e BE bërë dje për dosjet ishte e drejtpërdrejtë, por ju nuk mësoni dot as nga “shuplaka” që ju dha BE.
Ligji për dosjet zyrtarisht hyn sot në fuqi. Në një njoftim për shtyp, Presidenca e BE i bëri me dije dje qeverisë shqiptare se ligji i dosjeve ngre shqetësime serioze përsa i përket përmbajtjes dhe procedurave që do të ndiqen në të. Deklarata e BE u përshendet disa orë më pas nga kreu i opizitës, Edi Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›