E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamentarët evropianë s'e njohin Jahjagën

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 10:38

A e dini ju kush është presidente e Kosovës dhe a mund të na thoni diçka për të? Kështu u është drejtuar të mërkurën në mëngjes Jelko Kacin deputeti i Parlamentin Evropian nga Sllovenia, drejtorit menaxhues për Ballkanin, Miroslav Lajcak.

Ky i fundit i është përgjigjur se nuk di më shumë sesa që kanë dëgjuar edhe vetë deputetët, porse, siç është shprehur, "me rëndësi është se zgjedhja e saj shënon evitimin e një krize kushtetuese në Kosovë".

Shumë deputetë të Parlamentit Evropian në fakt pyetjet rreth presidentes së Kosovës i bëjnë për të shprehur në mënyrë ironike mënyrën sesi është zgjedhur ajo në këtë post dhe sesi rolin kryesor në këtë proces e ka luajtur ambasadori amerikan, Christopher Dell. “Koha Ditore” mëson se edhe në një takim të mbyllur me Peter Feithin, javën e shkuar, disa deputetë të Parlamentit Evropian janë interesuar të dëgjojnë më shumë për presidenten e Kosovës. Këto burime citojnë Feithin të jetë përgjigjur se ai e kishte takuar presidenten e re të Kosovës për vetëm 10 minuta sa për t’ia uruar asaj zgjedhjen në postin e ri. Por Feith, sipas të njëjtave informata, citohet të ketë thënë: "Kjo presidente është fytyrë e re për Kosovën dhe ajo paraqet një Kosovë të re. Fakti se Ilir Deda është zgjedhur nga ajo si këshilltar kryesor dëshmon se ajo ka një qasje të re rreth së ardhmes së Kosovës". Ndërsa lidhur me vërejtjen për rolin kaq të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kaq të vogël të BE-së në Kosovë, Peter Feith mësohet t’u ketë thënë se "kosovarët ndiejnë se Shtetet e Bashkuara po i mbështesin ata, por nuk e ndiejnë se BE-ja po e bën këtë aq shumë".

Peter Feith së shpejti do të mbetet me vetëm një post në Kosovë, sepse pas datës 30 prill nuk do të jetë më i dërguar i posaçëm i BE-së për Kosovën.

Shumë deputetë të BE-së kanë kërkuar që të sqarohet sa më parë roli i BE-së në Kosovë. Deputetja Doris Pack nga Gjermania ka vërejtur se "BE-ja e ka humbur tashmë rolin në Kosovë, sepse gjithçka vendos ambasadori Dell me 3 persona". Edhe Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se "tash për tash në Kosovë po vërehet vetëm veprimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Disa deputetë të Parlamentit Evropian po ashtu kanë kërkuar nga Lajcak që BE-ja t’ia bëjë me dije Beogradit që të mos pengojë integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare dhe pjesëmarrjen e tyre në regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

"Nuk ka nevojë që Beogradi t’i mbështetë ata, mjafton që Beogradi të mos i pengojë", është shprehur Jelko Kacin. "Prania e serbëve në institucionet e Kosovës është pjesë e dialogut, por është edhe pjesë e raporteve tona me Beogradin", ka thënë Lajcak, ndërsa është shprehur edhe se ka bashkëpunim me Kosovën sa i përket regjistrimit të popullsisë. (kd)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›