E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Hesapet me Berishën dhe Metën do ti lajmë në 2009

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Kam keqardhje për pompozitetin e kotë me të cilin, Kryeministri Sali Berisha dhe miku ynë Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë sesa modeste, e zhvilluar krejt në periferi të jetës politike të vendit”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ironizon deklaratat e Kryeministrt Sali Berisha dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta lidhur me zgjedhjet në Kashar. Sipas tij deklaratat me pompozitet të Berishës dhe të Metës janë mungesë respekti ndaj opinionit publik. Kryesocialisti pohoi dje se Kashari nuk ishte test për partitë politike por thjesht një garë mes individëve në një komunë të kryeqytetit. Ai nuk ngurroi madje të deklaronte se Partia Socialiste do të lajë hesapet me kreun e Qeverisë dhe kreun e LSI-së në zgjedhjet e 2009-ës. Rama theksoi se për momentin prioritet është sistemi i ri zgjedhor në mënyrë që Kashari të jetë mbyllja e kapitullit për sistemin e vjetër të përdorur deri tani. Ai pohoi gjithashtu se zgjedhjt në këtë komunë treguan përsëri një sërë problemesh si nxjerrja nga kutitë e votimit të më shumë votave se numri i votuesve, prurja e certifikatave nga një komunë tjetër etj.
Deklarata
“Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh të respektuar të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës”, - pohoi dje Rama. Sipas tij të dalësh e të thuash se rezultati i kësaj gare ka të bëjë me reformat e Qeverisë apo me arritjet e saj në rang vendi, kjo do të thotë të jesh një Kryeministër në pikë të hallit. Rama u shpreh gjithashtu se edhe të dalësh e të thuash se renditja në këtë garë individuale, mes katër banorëve të Kasharit, që konkuruan brenda komunitetit të tyre dhe jashtë kalendarit apo temave të ballafaqimit politik të vendit, na qenka pasqyra e sotme e renditjes së partive shqiptare në nivel kombëtar, do të thotë të mos kesh asnjë respekt, jo vetëm për të vërtetën e për publikun, po edhe për veten. “Kam keqardhje për pompozitetin e kotë me të cilin, Kryeministri Sali Berisha dhe miku ynë Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë sesa modeste, e zhvilluar krejt në periferi të jetës politike të vendit. Madje qoftë Kryeministri qoftë ish-kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur, në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë”, - theksoi ai. Kryesocialisti u shpreh se për momentin prioritet mbetet sistemin i ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion në vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër, që edhe të dielën në Kashar, nxori nga kutitë më shumë vota sesa numri i votuesve, shpërndau afro 500 certifikata të reja deri në fund të ditës së votimit, pa llogaritur një prurje certifikatash nga një komunë tjetër, derdhi rrugëve e kafeneve të fshatit tërë shpurën e ministrave të shoqëruar nga shpurat e tyre vetjake dhe hodhi në qarkullim para nën dorë për blerje masive votash. “Le të bëjmë gati kartat e identitetit, të rikonceptojmë pa humbur kohë administratën zgjedhore dhe të garantojmë me ligj transparencën e financimit të fushatës e pastaj t ua lemë në dorë 3 milion e 100 mijë shqiptarëve të na rendisin lirisht në listën e preferencave të tyre. Pastaj flasim”, - tha ai. Pak ditë më parë Kryeministri Sali Berisha e konsideroi fitoren në Kashar si një bizhu për mazhorancën ndërsa Fuçia sipas tij, do kujtohet gjatë se nxori kandidatin e PS-së në vend të katërt. Me vlerësime u përcollën këto zgjedhje edhe nga Meta i cili i mëshoi fort faktit se kandidati i LSI-së doli i dyti ndërsa premtoi daljen në vend të parë në zgjedhjet e vitit 2009.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›