E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parlamenti grek, kurim falas 300 pacientë shqiptarë në vit

05/02/2005  Konstandopoulos: Përfitimi, ambientimi i mjekëve tanë me sëmundje të vjetra

Çdo vit do të kenë të mundësi që të kurohen falas për në Greqi 300 shqiptarë dhe kjo përkundrejt specializmit që do t'u japim mjekëve grek, të cilët janë çmësuar nga sëmundje si leshmanjoza, plasja apo hepatiti A, nga të cilat sëmuren shpesh shqiptarët, por që gati janë harruar në Greqi, por që mund të rishfaqen në fshatrat ngjitur me ato shqiptare. E në këtë rast Greqia nuk pyet se sa do t'i shkojnë shpenzimet. Tashmë, kjo u miratua dhe nga Parlamenti grek. Ambasada greke njofton se marrëveshja e re e bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë në fushën shëndetësore, e cila u nënshkrua më 3 shtator 2004, u pranua njëzëri dje nga të gjitha partitë e Parlamentit grek gjatë seancës së komisionit përkatës. Marrëveshja, e cila sapo u ratifikua parashikon kurimin falas të 300 qyrtetarëve shqiptarë në vit, të cilët përballen me probleme të rënda shëndetësore. Për këtë duhet të kenë epikrizë nga mjekët shqiptarë si dhe vërtetim se nuk mund të kurohen në spitalet e vendit të tyre. Në rast se dikush vjet privatisht nga Shqipëria pa epikrizë zyrtare, do të përballojë shpenzimet për kurimin e tij. Në marrëveshje parashikohet dhe akordimi i një numri të arsyeshëm bursash për mjekë shqiptarë. Do të ketë trajtim mjekësor falas në dy vendet për shtetas të secilit vend në rast urgjencash, të cilët janë me qëndrim të përkohshëm më territorin e çndonjërës prej palëve. Shkëmbim informacioni për të përballuar sëmundje ngjitëse në nivel ndërkufitar. "Marrëveshja nuk e rëndon në mënyrë të njëanshme vendin tonë, përderisa kostoja e çfarëdoshme ekonomike e saj balancohet prej përfitimeve të tjera, siç është ambientimi i mjekëve tanë me sëmundje të tilla të vjetra si leshmanjoza apo hepatiti A, të cilat rishfqen", theksoi zëvendësministri i Shëndetësisë, Konstandopoulos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›