E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pensionet rriten 8 për qind për ushtarakët e pilotët

05/02/2005  VENDIMI NË SHIFRA

8% rritet pensioni për 1000 ish-punonjës të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake, 200 pilotë

Shpërblim 125 drejtues marine

50% të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 15 vite kalendarike,

30% të pagës për shërbim jo më pak se 10 vite

20% të pagës referuese, jo më pak se 7 vite kalendarike

Pagesë gatishmërie

200 punonjës të Kombinatit Mekanik Poliçan, 11 punonjës të Uzinës së lëndëve Plasëse në Elbasan, 9 punonjës të Uzinës Mekanike në Gramsh

Pagesa shtesë për punonjësit e ndërmarrjeve ushtarake dhe drejtuesit e marinës

Qeveria ka marrë disa vendime për punonjësit në pension që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe të pilotëve fluturues, masa e trajtimit të veçantë rritet me 8 për qind. Nga ky vendim përfitojnë rreth 1000 ish-punonjes të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake dhe rreth 200 pilotë fluturues në pension. Efektet financiare llogariten rreth 2 milionë lekë në muaj dhe është parashikuar që të përballohen nga buxheti i vitit 2005 për Ministrinë e Punëve dhe Çështjeve Sociale.

Ushtarakët

Për të zbutur efektet sociale në rajonet ku është vendosur pjesa e industrisë ushtarake, sipas këtij vendimi, do të trajtohen për vitin 2005 me pagesë në gatishmëri 220 punonjës, të cilët, pas ristrukturimit të ushtrisë kanë dalë pa punë. Pagesën e gatishmërisë e përfitojnë 200 punonjës të Kombinatit Mekanik Polican, 11 punonjës të Uzinës së lëndëve Plasëse në Elbasan dhe 9 punonjës të Uzinës Mekanike në Gramsh. Efekti financiar i këtij vendimi është 37 milionë lekë dhe do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.

Marina

U miratua projektligji “Për një trajtim të veçantë financiarë oficerëve dhe nënoficerëve lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension”. Me këtë projektligj synohet të rregullohet dhe të rritet masa e pensionit të pleqërisë për këtë kategori ushtarakësh. Efektivat lundrues, oficerë dhe nënoficerë, të cilët kanë shërbyer në nëndetëse dhe të polumbarëve, oficerë dhe nënoficerë, të Forcave Detare, të cilët kanë plotësuar apo plotësojnë kushtet për pension pleqërie, përfitojnë, përveç pensionit të pleqërisë, një trajtim të veçantë në masën 50 për qind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 15 vite kalendarike, 30 për qind, kur kanë shërbyer jo më pak se 10 vite dhe 20 për qind të pagës, për jo më pak se 7 vite. Nga ky projektligj përfitojnë rreth 125 persona oficerë dhe nënoficerë, në nivele nga ish-komandant Force, komandant Brigade, komandant ND, anëtarë shtabi brigade, deri oficerë dhe nënoficerë të niveleve të ndryshme. Projektiligji parashikohet të hyjë në fuqi brenda muajit mars 2005. Efekti financiar vjetor arrin shumën 10.000.000 lekë, që do të përballohet nga buxheti i shtetit 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›