E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paro Laçi mbetet në qeli së bashku me tre të tjerë

23/03/2011  Biznesmeni është shprehur se është i pafajshëm. “Do të vijë koha të flas shumë qartë”.

DURRES- Gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës ka lënë në qeli biznesmenin Paro Laçi së bashku me tre persona të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë. Seanca e djeshme gjyqësore në Durrës është shoqëruar me masa të forta sigurie duke zgjatur për më shumë se 4 orë. Gjyqtari i vlerësimit të masës së sigurisë Shpëtim Reka ka cilësuar të ligjshëm arrestimin në kushtet e flagrancës për biznesmenin Paro Laçi dhe të tetë personave të tjerë, ndërsa ka lënë në qeli shtetasin Laçi dhe tre të tjerë.

Masa e sigurisë

Biznesmeni, që sipas organit të drejtësisë në Durrës është aksioner në dy kompani ka marrë masën e sigurisë “arrest në burg”, të njëjtën masë, si dhe për shtetasit Agron Laçi, Agron Arusha, Edmond Temali. Ndryshe prej tyre, shtetasit Shkëlqim Balliu, Kozma Kule, Bledar Kume, Altin Gjura e Enri Dhima do të paraqiten me detyrim një herë në muaj në datën e caktuar nga gjykata duke lënë kështu qelitë tre ditë pas vënies në pranga si bashkëpunëtor me biznesmenin Laçi. Biznesmeni sapo ka hyrë në sallën e gjykatës ka pohuar se çdo përpjekje për t’i mbyllur aktivitetin privat do të shoqërohet me pohime të shumta që do të zbardhin shumë gjëra. Ai ka thënë se arrestimi është bërë qëllimisht për t’i dëmtuar aktivitetin privat, ndërsa ka pohuar se shumë shpejt do të vijë koha për të folur hapur. Sipas tij, Laçi ka shumë fakte për shumë të tjerë, por pa dhënë asnjë emër konkret. “Jam në qeli kot, jam i pafajshëm”,-kanë qenë fjalët e para të biznesmenit, i cili nuk është përmbajtur edhe prapa hekurave. “Do të vijë koha të flas shumë qartë, për të gjithë personat”,-deklaroi Laçi. Gjykata ka mbajtur në këtë seancë anën e Prokurorisë, e cila ka kërkuar të mbajë në qeli shtetasin Paro Laçi, presidentin e ekipit të futbollit Rubiku në kategorinë e dytë dhe aksioner në kompaninë e eksport importit të mallrave të “Miti 03” dhe “LDZH”. Më datë 19 mars Task-Forca e Prokurorisë së Durrësit ka vënë në pranga shtetasin Paro Laçi nën akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit pasiv e aktiv në trupimin e ndeshjeve. Së bashku me të kanë rënë në pranga edhe tetë persona të tjerë: Agron Laçi, Agron Arusha, Edmond Temali, Shkëlqim Balliu, Kozma Kule, Bledar Kume, Altin Gjura e Enri Dhima. Prokuroria ka thënë se Laçi e personat e tjerë ishin pjesë e hetimeve nga drejtësia shqiptare për një periudhë të gjatë kohore. Ai akuzohet se ka ushtruar aktivitet të paligjshëm, ndërsa hetimet do të shtrihen si në drejtim të bizneseve dhe aksioneve edhe në sektorin e sportit. Policisë së Durrësit i është dashur të pastrojë fillimisht korridoret e gjykatës të mbushur me të afërm kryesisht të shtetasit Paro Laçi, ndërsa disa prej këtyre personave i ka nxjerrë jashtë dyerve të gjykatës, pasi kanë përdorë në korridore e në sheshpushimet e shkallëve të organit të drejtësisë fjalor të pahijshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›