E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset makina e ministrit, aksidentohet Petrit Vasili dhe 6 persona

23/03/2011  Ministri dhe këshilltarët nisen me helikopter drejt Ushtarakut

ELBASAN- Aksidentohet ministri i Shëndetësisë, këshilltarët, si dhe tre pasagjerë të një furgoni me të cilin u përplas makina qeveritare me të cilën po udhëtonte drejt Elbasanit automjeti zyrtar. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Papërr të rrethit të Elbasanit rreth orës 10.00. Makina tip Benz me targa TR01 40Z e drejtuar nga shtetasi Andi Harizaj është përplasur me një furgon tip Volsvagen me targa KS 02-203AN, i cili ishte duke udhëtuar nga Elbasani për në Peqin në afërsi të fshatit Papërr i drejtuar nga shtetasi Fatmir Duka. Si pasojë është dëmtuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Piperaj, 55 vjeç, si dhe koordinatori kombëtar i programit HIV-AIDS Klodian Rrepaj 40 vjeç që udhëtonin në mjetin qeveritar. Ndërkohë janë dëmtuar si pasagjerë në mjetin tjetër tre përfaqësues të komunitetit mysliman në Elbasan, Kastriot Duka, 42 vjeç dhe Faik Çota, 78 vjeç, si dhe shoferi i mjetit 22-vjeçari Fatmir Duka. Menjëherë të dëmtuarit janë dërguar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku edhe ministri dhe të dëmtuarit e tjerë kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Pasi kanë marrë mjekimin, ministri dhe këshilltarët e tij janë nisur drejt spitalit të Tiranës nëpërmjet dy helikopterëve madje duke u larguar me autoambulancë në pjesën e pasme të kirurgjikut për t’i shpëtuar kështu objektivit të shumë mediave të grumbulluara para spitalit kirurgjik. Sipas të dhënave të policisë, ministri Petrit Vasili ishte duke ardhur në Elbasan ku pritej të kishte një takim me drejtues lokalë. Në spitalin kirurgjik ka mbërritur me shpejtësi Drejtori i Qendrës Spitalore, Pjerin Xhuvani, i cili ka angazhuar të gjithë shërbimin mjekësor në përballimin sa më mirë të këtij aksidenti me 6 të plagosur. Gjithashtu në spitalin kirurgjik ka mbërritur prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, si dhe kandidati për kryetar Bashkie i LSI-së, Durim Hushi, të cilët janë informuar për gjendjen e ministrit dhe të aksidentuarve të tjerë, duke qëndruar deri në nisjen e ministrit për mjekim më të specializuar në Tiranë. Nikollaq Thana, shef i Shërbimit të Reanimacionit në spitalin kirurgjik të Elbasanit tha se ministri ka pasur dëmtime të lehta dhe është interesuar për pjesën tjetër të të dëmtuarve nga aksidenti. Ministri ka pasur dëmtime të lehta në fytyrë në kokë, një hematomë në kërcirin e majtë. Gjendja është stabilizuar. Mendojmë se rasti nuk paraqet probleme shqetësuese për jetën. Edhe shoqëruesit e tjerë kanë plagë në fytyrë dhe në ekstremitete. L. Lleshi

Aksidenti

Burime të Policisë Rrugore bëjnë të ditur se aksidenti është regjistruar rreth orës 10.00 dhe mjetet janë përballur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar dëmtimin e të dyjave, si dhe sidomos të pasagjerëve në sediljet e para. Ekspertët që kanë mbërritur në vendin e aksidentit bëjnë të ditur se nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak për ndodhjen e aksidentit ka qenë mjeti me targa Kosove që sipas policisë kishte kaluar në korsinë e gabuar duke sjellë edhe përplasjen. Paraprakisht ka filluar procedimi penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor ndaj drejtuesit të furgonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›