E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike feston 20-vjetorin e krijimit

15/12/2010  Festimi u shty nga përmbytjet në shenjë solidariteti me banorët

Berisha: “Shqipëria do të vijojë rrugëtimin drejt ëndrrës evropiane.”

Partia Demokratike e Shqipërisë festoi pasditen e djeshme në Pallatin e Kongreseve 20-vjetorin e krijimit të saj. Holli i Pallatit të Kongreseve u mbush pasditen e djeshme nga mbi 500 persona, të cilët kremtuan përvjetorin e 20-të të themelit të partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Në të morën pjesë drejtues aktualë, deputetë, ministra dhe anëtarë aktualë të kryesisë së Partisë Demokratike. Në eventin e mbrëmshëm ra në sy prezenca e Presidentit Bamir Topi, si dhe e përfaqësuesve të LSI-së, pjesë e koalicionit qeverisës. Me anë të një videoekrani u transmetua për të pranishmit rruga e mundimshme drejt fitores ndaj komunizmit dhe fillimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Në takimin që u organizua në Pallatin e Kongreseve u përkujtuan figurat kryesore të lëvizjes studentore, por dhe intelektuale të dhjetorit, të cilët insistuan dhëmb për dhëmb me komunistët për krijimin e partisë së parë opozitare në Shqipëri. Një përshëndetje të veçantë, me rastin e kësaj dite të shënuar për demokratët, ka përcjellë edhe Kryeministri i vendit, njëkohësisht dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij përcolli një homazh për ata që kontribuuan ndër vite, por tashmë nuk janë më. “Të rinjtë shqiptarë në dhjetor të vitit 90-të treguan trimëri të pashembullt, shembën murin e Berlinit duke mbushur ambasadat e gjunjëzuar pushtetin, por jo të ndalonte marshin e qytetarëve, që në datën 8 dhjetor, me në krye Azem Hajdarin, do të nisnin Lëvizjen e Dhjetorit, duke mbushur sheshet e qytetit, dhe në datën 11 dhjetor do të themelonin partinë e parë pas pluralizmit”, theksoi në fjalën e tij Kryeministri Berisha. Mesazhi i demokracisë është mesazhi për të cilin u flijuan dëshmorët e parë të demokracisë dhe ata që vuajtjen për idealin e çmuar të lirisë. “Lëvizja e Dhjetorit hodhi dritë mbi idetë e të rinjve studentë, hodhi dritë mbi heronjtë e saj, që u flijuan për këtë liri që gëzojmë ne sot”, tha Berisha, i cili në përfundim të fjalës së tij deklaroi: “Shqipëria do të vijojë rrugëtimin drejt konsolidimit të aspiratës së saj evropiane.”

Shtyrja nga përmbytjet

Festimet për 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe 12 Dhjetorin, themelimin e Partisë Demokratike, u shtynë një javë më parë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që preku Shkodrën. Në shenjë solidariteti me banorët e zonave të përmbytura nga reshjet e dendura të shiut, shefi i ekzekutivit, Sali Berisha kërkoi përqendrimin e vëmendjes në veriperëndim të vendit, atje ku prej 10 ditësh janë dislokuar thuajse të gjithë ministrat e kabinetit Berisha, drejtues të Shtabit të Emergjencave, Policia, si dhe Ushtria.

Berisha fton Ramën në 20-vjetorin e themelimit të PD-së

Por nga ana tjetër, mësohet nga burimet e organizatorëve se ftesa për të marrë pjesë në këtë ceremoni janë dërguar edhe në drejtim të Partisë Socialiste dhe partive parlamentare të së majtës, ku përfshihet dhe Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut. Ndonëse në këtë festë, pavarësisht ftesës, nuk pritej pjesëmarrja e vetë kryetarit të PS-së, Edi Rama, edhe pse ka qenë pjesëtar i Lëvizjes së Dhjetorit, pritej që të paktën një pjesëtar i grupit parlamentar të socialistëve të merrte pjesë në këtë ceremoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›