E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet suplementare, opozita bojkot Kuvendit

15/12/2010  Diskutimi tek Siguria, qeveria sqaron kushtetuetshmërinë

Opozita në Komisionin parlamentar të Sigurisë bojkotoi mbledhjen e komisionit, duke deklaruar votën kundër aktit normativ të qeverisë për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve. Shkak i largimit të deputetëve të majtë u bë mosshtyrja nga mazhoranca e mbledhjes me kërkesës të socialistëve për dëgjimin e grupeve të interesit. Sipas deputetëve të djathtë, ish-ushtarakët i kanë dërguar pretendimet e tyre me shkrim, duke theksuar se ata janë njoftuar për mbledhjen disa ditë më parë. Madje, të djathtët arsyetuan se detyrën për të dëgjuar palët e interesit e kanë vetëm komisionet përgjegjëse, i i Ekonomisë në këtë rast. “Unë propozoj ta shtyjmë diskutimin, qoftë edhe për pasdite, sepse sot ne nuk shohim asnjë përfaqësues të këtyre shoqatave këtu. Na duhet kohë të lexojmë këtë letrën e aleancës së ushtarakëve”, tha nënkryetari i komisionit, Ilir Gjoni. Por kryetari i komisionit, Leonard Demi, sqaroi se palët janë njoftuar, por mbetet në vlerësimin e tyre pjesëmarrja në komision. “Aleanca e ushtarakëve ka sjellë kërkesat e tyre dhe besoj që ata përfaqësojnë interesat e të gjithë ushtarakëve. Unë i kam pritur të gjithë dje, kam njoftuar ata për mbledhjen dhe kërkesat i kemi të gjithë në tavolinë”, tha Demi. Por kjo nuk i bindi socialistët, të cilët u larguan duke deklaruar edhe votën e tyre kundër. “Akti normativ cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën. Ish-ushtarakët nuk kërkojnë një privilegj, por thjesht një të drejtë që e kanë të fituar me ligj, por që qeveria shqiptare nuk do t’ia japë. Ne po largohemi duke ju shpallur publikisht votën kundër ndaj këtij akti normativ”, tha Gjoni. Pas largimit nga salla, komisioni vijoi punimet duke dëgjuar përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, dikaster që e ka propozuar këtë nismë. Drejtoresha juridike në Ministrinë e Financave, Linda Koleci, sqaroi anën Kushtetuese të çështjes, duke theksuar se është vetë Kushtetuta që lë hapësira të rregullimeve ligjore sipas buxhetit të shtetit. “Sipas nenit 59 të Kushtetutës, shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon përmbushjen e objektivave sociale. Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Kjo do të thotë që e drejta e tyre është e drejtë sociale ekonomike e ofruar nga një ligj i caktuar. Për sa kohë që Kushtetuta nuk thotë ndryshe, ligji mund të ndryshohet”, tha Koleci.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›