Partia e Putin: Më pak ulëse në parlament

Sipas parashikimeve të anketuesit më të madh të pavarur në Rusi, në zgjedhjet e 4 dhjetorit partia Rusia e Bashkuar e kryeministrit rus, Vladimir Putin, pritet se do të fitojë një shumicë tepër të ngushtë në parlamentin rus.
Duke u bazuar në anketimin e fundit të opinionit publik para zgjedhjeve, Qendra Levada njoftoi të premten se partia Rusia e Bashkuar, e kryeministrit Putin, do të fitojë diku ndërmjet 252-253 vende në parlamentin rus, i cili gjithsejtë ka 450 vende. Aktualisht Rusia e Bashkuar ka 315 ulëse.
Qendra Levada po ashtu parashikon se Partia Komuniste do të radhitet si parti e dytë, me afro 94 vende, e pasuar nga partia nacionaliste LDPR, me 59 vende, dhe nga partia Vetëm Rusia, me 44 vende.