E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Partia e Topit do të marrë vota të majta, veprimet e tij një turp”

12/10/2011  Kryetarja e Kuvendit sulmon Presidentin e Republikës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur dje se Bamir Topi, aktualisht President i Republikës, nuk mund të marrë vota nga e djathta, edhe në rast se krijon parti të re. Sipas saj, një parti e krijuar nga Topi do të merrte vota nga e majta, sepse presidenti aktualisht ka luajtur në tërë këto vite për të majtën. Këto komente Topalli i bëri gjatë një interviste për radion “Evropa e Lirë”. E pyetur nëse përbën shqetësim ngritja e një partie nga ana e Bamir Topit, Topalli i përgjigjet: “E para, nuk ka asnjë shqetësim. E dyta, kjo nuk është diçka e papritur, as e panjohur. Besoj se do të merrte nga e majta, sepse zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit. Në bazë të Kushtetutës, ai duhet të jetë figura që bashkon popullin dhe jo që punon për një parti të caktuar. Ai ishte i sinqertë pasi që doli vota e tij në sytë e të gjithë shqiptarëve ‘live’, me të parë dhe me të dëgjuar”, u shpreh Topalli. Ndërkohë në lidhje me pritshmërinë e raportit të Komisionit Evropian, ngecjen e procesit të integrimit, Topalli ka fajësuar lidershipin Rama dhe Partinë Socialiste, duke e etiketuar këtë të fundit si celulë antievropiane. “Sa i takon aspektit të statusit të vendit kandidat, unë besoj se shqiptarët do ta paguajnë edhe një herë bojkotin dhe bllokadën që opozita i ka bërë Parlamentit, gjatë këtyre dy vjetëve. Është një çmim, që shqiptarët e pafajshëm duhet ta paguajnë për një politikë ose për lidershipin e një partie, që, me sa duket, është edhe një lloj celule antievropiane. Natyrisht, unë ndjehem keq kur e them një gjë të tillë, por ne duhet të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është. Si Kryetare e Kuvendit, më është dashur të përballem me frymën e antiparlamentarizmit dhe në tërësi të antishtetit. Në këtë kuptim, shqiptarët duhet të paguajnë për diçka që nuk e meritojnë, për diçka që nuk e kanë bërë, por mendoj se është edhe momenti që secili prej shqiptarëve duhet ta pyesë veten nëse ia vlen më që t’i përgjigjesh një lidershipi të një partie, që është kthyer edhe në një celulë antievropiane”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit është shprehur dhe në lidhje dhe me zërat e përhapur për një kandidim të mundshëm të saj në postin e Presidentit. Topalli tha se ajo çka e preokupon në këto momente është fitorja e zgjedhjeve të vitit 2013, duke hedhur poshtë kështu çdo aludim në lidhje me këtë çështje.

Votimi i fshehtë

“Dekretet e presidentit nuk mund të votohen kurrë në mënyrë të fshehtë, sepse nuk votohen në mënyrë të fshehtë në asnjë vend. Sa u takon emrave të tjerë, që do të zgjidhen në institucione të ndryshme, le t’u qëndrojmë atyre modeleve, siç i përdor edhe Evropa. Natyrisht, mund ta adaptojmë sipas modelit që përdor Kongresi dhe Senati amerikan.”

8 maji

“Zgjedhjet e 8 majit treguan se koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha mori dyfishin e votave që e kishte marrë në 2009-n, ose përkthyer në mandate, ka marrë së paku 17 mandate më tepër se në 2009-n. Nëse zoti Rama mendon se kështu do t’u hedhë hi syve të shqiptarëve, ju garantoj se pas dy vjetëve kjo diferencë do të rritet edhe më shumë në favor të koalicionit.”

Topalli presidente

“Nuk e kam lidhur kurrë punën time me postet e caktuara. Ajo që unë mendoj deri në 2013-n është të drejtoj Kuvendin e Shqipërisë, duke menduar për reformat e tjera në fushat fiskale, në fushat e zhvillimit të bujqësisë, të teknologjisë, të ekonomisë në tërësi. Kjo është ambicia ime, ky është vullneti im dhe këtu jam e fokusuar.”

Për Bamir Topin

“Kjo nuk është diçka e papritur, as e panjohur. Besoj se do të merrte nga e majta, sepse zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit. Në bazë të Kushtetutës, ai duhet të jetë figura që bashkon popullin dhe jo që punon për një parti të caktuar. Ai ishte i sinqertë, pasi doli vota e tij në sytë e të gjithë shqiptarëve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›