E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partitë dënojnë shpërthimin në Selinë e partisë ORA

19/04/2005  Akt kundër demokracisë dhe stabilitetit

Aktin e shpërthimit në selinë e partisë politike ORA, i cili ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:10, si pasojë e të cilit u plagosën lehtë edhe tre fëmijë e kanë dënuar ashpër presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, qeveria e Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, shefi i Zyrës Britanike Marc Dickinson, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, PSHDK - krahu i Tadej Rodiqit dhe KMDLNJ . "Aktet e tilla kanë për qëllim çregullimin e stabilitetit të vendit tonë dhe janë kundër lirisë, pavarësisë e demokracisë së Kosovës", tha presidenti Rugova në një deklaratë me anë të së cilës ka kërkuar nga organet e ndjekjes që autorët e këtij akti të shëmtuar të sillen para drejtësisë. Në deklaratën e qeverisë së Kosovës thuhet se sulmi është i paramenduar kundër institucioneve politike dhe demokracisë në vend. Shefi i Zyrës Britanike Marc Dickinson dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, dënuan fuqishëm sulmin me mjet shpërthyes dhe kërkuan nga organet përgjegjëse që të zbulojnë sa më parë autorët e saj. Dhuna ose kërcënimi me dhunë nuk ka vend në politikën e sotme të Kosovës, ndërsa ata që e përdorin atë ose kërcënojnë ta përdorin atë, janë një kërcënim për progresin në Kosovë, thuhet në reagimin e Zyrës britanike në Prishtinë. "Aktet e tilla janë kundër rendit, qetësisë, stabilitetit dhe progresit të Kosovës. Kërkojmë nga organet kompetente zbardhjen e rastit dhe autorët të vihen sa më parë para organeve të drejtësisë", thuhet në këtë deklaratë të kryesisë së LDK-së. Ky shpërthim si dhe kërcënimet që i paraprinë atij ndaj personaliteteve të njohura të skenës politike opozitare në Kosovë, janë të motivuara politikisht dhe kanë për qëllim kërcënimin dhe eliminimin e opozitës demokratike, thuhet në reagimin e PDK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›