E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partite e vogla deklarate te perbashket per reformen zgjedhore

Partitë e vogla u mblodhën sërish sot në një tryezë me qëllim përfshirjen e propozimeve të tyre në reformën zgjedhore, në mënyrë që përfaqësimi në Kuvend të bazohet në barazinë e votës. Në përfundim të tryezës ata miratuan unanimisht një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës i kërkojnë partive të mëdha që t’i përmbahen angazhimit të tyre të datës 23 prill 2012.

Pika 1 e deklaratës thekson se kërkohet: "Reformë zgjedhore e plotë, që të vendosë barazi ligjore dhe transparencë, si dhe garantimin e aspekteve ankimore"
Partitë e vogla më herët kanë propozuar disa formula duke u bazuar te sistemi danez, për reformën zgjedhore, draft të cilin e kanë dorëzuar në komisionin e reformës zgjedhore. Drafti propozon korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, cka sipas kërkesës së vazhdueshme të partive të vogla do të bënte që të barazohej vota e qytetarëve shqiptarë.

Në nisje të takimit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi që komisioni i reformës zgjedhore të marrë në shqyrtim draftin e paraqitur nga partitë e vogla, i cili u firmos edhe nga PD-PS.
“Komisioni i reformës zgjedhore të marrë parasysh propozimet tona”, kërkoi ai. Mediu tha më tej se duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve.

Ndërsa kreu i PDS-së Paskal Milo deklaroi se është shumë e rëndësishme garantimi i barazisë së votës. “Nuk kemi të reja, vec të shprehim vullnetin për të këmbëngulur që PD-PS të binden që është një standart evropian, barazia e votës”, tha ai. Milo kërkoi që partitë e vogla ti bëjnë presion aleatëve të mëdhenj, në mënyrë që ato të detyrohet që të mund të respektojnë angazhimet e tyre.

Edhe kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi e vuri theksin tek garantimi i zgjedhjeve të lira, ku të garantohet barazia e votës.
“Jemi mbledhur disa herë, nuk mbrojmë interesat e disa partive por garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, garantimin e barazisë në votë. Një qytetar të japë një votë, kjo garantohet me futjen e teknologjive. Të korrigjohet sistemi zgjedhor dhe vota të numërohet elektronikisht”, shtoi ai.

Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta duke mbështetur shqetësimin e kolegëve nënvizoi se reforma duhet të krijojë besim të qytetarët se vota e tyre do jetë e barabartë dhe do të lexohet në mënyrë transparente, si dhe duhet të përfundojë brenda afateve.
“Mbështes shqetësimin e gjithë kolegëve në të dyja aspektet e rëndësisë. Së pari që ajo të jetë reformë që të krijojë besimin tek të gjithë qytetarët se vota e tyre do jetë e barabartë dhe do lexohet në mënyrë transparente. Dhe cështja tjetër që është po kaq e rëndëishsme është përfundimi i gjithkaje brenda muajit korrik sepse jemi kundër angazhimeve që kemi marrë edhe në raport me BE, që kemi ndërmarrë edhe para zgjedhjes së presidentit”,- deklaroi Meta.

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli kërkoi që reformat ë miratohet në kohë, për të mos e lënë zgjidhjen në orën e fundit.
“Dy janë themelore për t’u zgjidhur nga kjo reformë. Problemi për të patur korrektim kombëtar të votave si dhe barazia e votave. Unë besoj se ka vonesë të ndërgjegjshme të reformës, që të ndodhemi para zgjidhjes së minutës së fundit, ku mendimi i partive të tjera nuk merret parasysh”,- tha Xhuveli .

Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, shprehu keqardhje ngaj kreut të PS-së Edi Rama, i cili sipas tij nuk po i qëndron marrëveshjes së opozitës së bashkuar për të përmbyllur me sukses reformën zgjedhore.

“Puna e komisionit pazar politik. Partia Demokristiane është rreshtuar në opozitë, PS ka marrë angazhim ndaj nesh se do e ndjekë reformën zgjedhore, por kemi parë të kundërtën, nuk ofron një standart nëpërmjet ligjit, pasi kreu i PS ka thënë se do fitojmë edhe nëse kem pak vota. Duhet të ketë reflektim nga të dyja palët. Shpresoj që firmat e tyre nuk kanë qënë demagogjike Është momenti të rrisim presionin. Pasi edhe debati është një pazar bllokues”,- tha Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›