Reforma zgjedhore, të vegjëlit: Të pranohen kërkesat tona

Partitë e vogla kanë ripërsëritur sërish kërkesat e tyre drejtuar dy partive të mëdha PD-PS për reformën zgjedhore. Në një deklaratë për përbashkët, të vegjëlit kanë kërkuar përfshirjen e propozimeve të tyre në reformën zgjedhore, në mënyrë që përfaqësimi në Kuvend të bazohet në barazinë e votës.
Në fjalën e tij kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se tashmë ka humbur besimi tek partitë e mëdha. “Nëse ka parti politike që flasin pa realizuar barazinë e votës, është thjeshtë demagogji. Duhet të jetë faktori ndërkombëtarë që të ndërhyjë fort, nëse e ka seriozisht. Ne duhet të jemi në gjendje që të bindim qytetarët shqiptarë që ata me votën e tyre të lirë, të ndëshkojnë ata që nuk plotësojnë standartet evropiane” shtoi Milo.
Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi ka deklaruar se reforma zgjedhore është drejt dështimit. “Sot jemi përpara një dështimi të reformës zgjedhore. Ne i qëndrojmë kërkesave themelore. Duhet të përfundojë reforma zgjehdore n.q.se ka ende kohë për të folur për zgjedhje të lira dhe të ndershme” shtoi Gjinushi.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka sjellë në vëmendje propozimet konkrete që ka bërë tryeza e partive të vogla, dhe që janë firmosur edhe nga Berisha dhe Rama, tha se për reformën zgjedhore nuk ka një procedim normal, pasi ka një diskutim vetëm mes dy palëve.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda muajit korrik, sepse sipas tij, jemi kundër të gjitha angazhimeve që kemi marrë. Sipas tij kjo reformë duhet të garantojë që vota e qytetarëve do të lexohet saktë dhe në mënyrë transparente dhe sistemi duhet të sigurojë barazinë e votës.
Prej kohësh paritë e vogla kanë bërë propozimet e tyre lidhur me reformën zgjedhore. Ata kanë propozuar disa formula duke u bazuar te sistemi danez, për reformën zgjedhore, draft të cilin e kanë dorëzuar në komisionin e reformës zgjedhore. Drafti propozon korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, ç`ka sipas tyre do të bënte që të barazohej vota e qytetarëve shqiptarë.