Partitë politike shqiptare në Maqedoni, të përçara
Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk e kanë parë të nevojshme të komentojnë deklaratën e presidentit shqiptar, Bamir Topi, për bashkëpunim midis faktorit politik shqiptar.
Përfaqësuesit e partive kryesore politike BDI, PDSH dhe DR i janë shmangur përgjegjësisë dhe deklarimit publik lidhur me porosinë e presidentit Topi.
Dosjet, regjistrimi i popullsisë dhe Marrëveshja e Ohrit kanë thelluar hendekun e konfliktit politik midis BDI dhe PDSH dhe këto dy subjekte po vazhdojnë akuzat dhe kritikat midis tyre.
Në pajtimin e faktorit politik shqiptar kanë dështuar edhe nismat e personaliteteve publike shqiptare dhe thirrjet e disa organizatave joqeveritare dhe partive më të vogla politike.
Presidenti shqiptar Bamir Topi dy ditë më parë ka deklaruar se faktori shqiptar në Maqedoni ka nevojë të jetë më bashkëpunues me njëri-tjetrin.
Ai ka vlerësuar se “sa më shumë të bashkëpunojnë partitë politike shqiptare, aq më shumë do të mbrohen interesat e shqiptarëve në Maqedoni”.
Porositë dhe aktivitetet e paralajmëruara të politikës shqiptare për 2011 nuk japin asnjë sinjal për një bashkëveprim apo kooperim në skenën politike në Maqedoni.